Xhaka: Pres kërkim falje publike

Familja e Granit Xhakës është shumë e lumtur që drejtësia vonoi, por nuk harroi.

Babai i yllit kosovar, Ragipi, dhe e gjithë familja e tij, ndihen më të liruar pas sqarimit të FIFA-s, e cila konfirmoi se Graniti nuk kishte të drejtë loje për Kosovën.

Ragipi është deklaruar për gazetën “Zëri” dhe thotë:

Të nderuar media sportive, të nderuar tifozë, të nderuar përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës!

Me një shpejtësi të rrufeshme hodhët baltë mbi djemtë e mi duke i etiketuar si tradhtarë apo si njerëz që e shesin veten për para, ose edhe më keq, kur dikush edhe kërcënonte që të mos vijmë në Kosovë, etj etj etj.

Që ta dini shpirti me ka dhimb, zemra më ka lëshuar, sepse isha 100% i bindur se po akuzoni me të padrejte sepse ju edhe nuk i dinit të gjitha. Kam kaluar netë pa gjumë, doja të reagoja, por ndoqa këshillën e djalit tim që edhe pse në moshë të r, si një burrë i mençur më tha: “Baba rri i qetë e drejta vonon, por nuk harron”

Dëgjova këshillën e Granitit dhe heshta. Heshta duke respektuar vendimin dhe mençurinë e djalit, por shpirti më dhimbte.

 Graniti pak ditë më vonë j´u drejtua të gjithëve me një letër të hapur, sepse ai nuk mund të duronte kaq shume të pa vërteta dhe padrejtesi. Aty ai sqaroj gjithcka dhe ishte shumë i saktë. Unë si baba kisha shumë e shumë gjëra të tjera për të thënë, por përsëri heshta, sepse besova tek e drejta dhe forca e së vërtetës, tek djali im.

Letra u shpërnda dhe u kuptua në masë të gjerë, por prapë kishte nga ata që thoshin. “ Pse të jenë të vërteta të gjitha këto që shkruan Granit Xhaka?”

E dija dhe isha i bindur që një ditë gjithçka do sqarohej, por jo që zoti dhe e drejta do e sillnin brenda një jave.

E pikërisht tani FIFA organi më i lartë i futbollit botëror, sqaroi pikërisht gjithcka çfarë Graniti kishte thënë në letrën e hapur.

Gjithë ditën e lexoja dhe nuk mund ta besoja që e drejta e djalit tim doli në një kohë rekord, por edhe pse shumë i lumtur për një drejtësi dhe moral të vënë në vend, nuk doja përsëri të komentoja dhe të zgjatem tek askush nga ata që hodhën baltë mbi djemtë e mi, por dua t´u drejtohem të gjithëve me një pyetje-kërkesë për të gjithë ata që shkruajtën, ofenduan edhe shanë.

Ragip Xhaka në emër të familjes XHAKA ju pyet: “ A nuk e ka merituar tani XHAKA një falje publike, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë??”

Unë them që po! Kjo është më e pakta që ju mund të bëni, sepse dëmin shpirtëror ju kurrë nuk do mund të na e ktheni.

Ato media, ata tifozë edhe për më së shumti Federata e Futbollit të Kosoves duhet te dalin në një prononcim me një falje publike.

Ky është minimumi i minimumit që mund të bëni sepse më shumë as nuk keni në dorë dhe as nuk mund ta realizoni.

Një kërkim falje na e keni borxh mua, familjes Xhaka edhe gjithë shqiptarisë.

Xhakat do nderojnë shqiptarët kudo që janë dhe do jenë një shembull i mirë për të gjithë, ambasadorë të vërtetë.

Me respekt Ragip XHAKA dhe familja.

Lini Një Koment