Zgjedh Norvegjinë, para Kosovës e Shqipërisë

Kamer Qaka po e kalon një sezon të shkëlqyeshëm në divizionin e parë norvegjez, shkruan sot gazeta Zëri.

Dhe, futbollisti kosovar ndihet i gatshëm për të luajtur për Përfaqësuesen U-21 të Norvegjisë, të cilën e sheh në opsion të parë, madje para Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai është pjesë e ekipit Kristiansund BK, ku luan në pozitën e mesfushorit.

“Ka lojtarë mjaft të mirë në Norvegji. Do të ishte diçka e bukur nëse më jepet mundësia për të luajtur në Përfaqësuesen U-21, së paku në këtë periudhë, kur gjërat po shkojnë mirë për mua. Besoj se e meritoj një shans”, ka thënë Qaka për uebfaqen norvegjeze “nettavisen.no”, përcjellë Zëri.

Lojtarin e ka lavdëruar edhe përzgjedhësi i ekipit U-21 të Norvegjisë, Leif Gunnar Smerud, i cili megjithatë nuk komentoi nëse do ta ftojë apo jo. Ndërkohë, nëse kjo nuk ndodh 21-vjeçari e ka edhe “Planin B”.

“Nëse nuk ngjan asgjë me Norvegjinë, më duhet ta zgjedh Shqipërinë ose Kosovën. Unë i vazhdoj kontaktet me Kosovën, më duan në ekipin A”, ka vazhduar futbollisti, që ka konfirmuar se e duan edhe U-21 e U-23 e Shqipërisë.

Lini Një Koment