Zyrtari i Qeverisë tregon nëse ka marrëveshje konkrete për Demarkacionin

Shefi i kabintetit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, Avni Arifi, në një prononcim për Periskopin, ka thënë se lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, nuk ka asnjë zhvillim tjetër të ri, përpos takimeve të djeshme dhe deklaratave që janë bërë mbrëmë nga të dy kryeministrat.

“Nuk ka asnjë zhvillim tjetër, përveç atyre që janë raportuar mbrëmë në media” është shprehur shkurt Arifi për Periskopin.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, që nga e mërkura po qëndron në Kosovë, dhe është takuar me krerët më të lartë të shtetit.

Gjatë ditës së djeshme është takuar me kryeministrin Haradinaj, ndërsa sot ka takuar presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Vizita e shefit të Qeverisë malazeze ndodh në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësimit të Kosovës si dhe në kohën e debateve rreth ratifikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Demarkacionit me vendin e tij nga Kuvendi i Kosovës.

Siç dihet, kryeministri Ramush Haradinaj është kundërshtar i rreptë i ratifikimit të Marrëveshjes së vitit 2015, për shkak se, sipas tij, me këtë Marrëveshje Kosova humb mijëra hektarë tokë.

Ndërsa, Mali i Zi e ka ratifikuar të njëjtën Marrëveshje.

Kryeministri malazez pas takimit me kryeministrin Haradinaj, ka thënë se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën në gjetjen e një zgjidhjeje në mënyrë që të kalohet në Kuvend Marrëveshja për Demarkacionin, që është një prej dy kushteve të fundit që Kosova duhet t’i përmbush nëse dëshiron që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm në shtetet europiane./Periskopi/

Lini Një Koment