​Haradinaj e quan dëshpëruese letrën e Veselit për Specialen

Organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila para disa javësh i ka dorëzuar Kuvendit peticionin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, shpreson që kjo punë do të kryhet, përkundër presionit ndërkombëtar, që u bë në drejtim të institucioneve, të cilat morën iniciativën për shfuqizimin e kësaj Gjykate.

Nënkryetari i veteranëve Nasim Haradinaj thotë se  Kuvendi duhet t’iu shkoj procedurave deri në fund dhe se kjo çështje nuk mund të ndërpritet në gjysmë, por duhet të marrë përgjigje.

Letrën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli në lidhje me Gjykatën Speciale, Haradinaj  e sheh si dëshpërim dhe frustrim të tij, me njerëz labil që ndryshojnë qëndrime.

“Letrën e Veselit më shumë e shoh si dëshpërim dhe frustrim,  ndaj njerëzve labil që nuk kanë vendim, ose nuk janë të përqendruar për diçka çka e thonë. Nuk qëndrojnë prapa asaj që fillojnë. E shoh më tepër si dëshpërim të gjithë atyre që marrin iniciativë, pastaj shkojnë tu ngu. Pastaj hajt ngojmë në kojshi çka po bëhet. Do të thotë janë njerëz labil në vendimmarrje. Kështu që unë mendoj që më tepër është frustrim. Mirëpo Kadri Veseli është një person, një njeri. Në fund të fundit ata janë deputetë që vendosin dhe japin verdiktin. Ata të cilët kanë marrë votën e popullit. Mund të ketë një vendim, dhe një mendim të tij. Mirëpo në bazë të asaj që lexova te Kadri Veseli, derisa Kadri Veseli e quan të keqe, atëherë unë mendoj, që nuk ka të keqe të mirë. Ka të keqe dhe nëse është e keqe, Kadri Veseli nuk mund të tërhiqet. Unë nuk besoj që Kadri Veseli diçka që i thotë e keqe e voton. Ose duhet me thanë është e mirë, qoftë vendim i gabuar, por ai mendon që është e mirë. Ose është e keqe dhe e eliminon”, tha Haradinaj për KosovaPress të mërkurën.

Haradinaj  thotë se deputetët nuk mund të arsyetohen lehtë në rast se tërhiqen nga nënshkrimet e tyre që ditë më parë i hodhën për shfuqizimin e Gjykatës.

“Deputetët të mos mendojnë që e arsyetojnë,  sikur të parën herë që ‘jo patëm trysni, jo s’patëm trysni’.  Mos të mendojnë që ky është vetëm një arsyetim aq i thjeshtë. Deputetët nuk i kanë marrë votat prej liderit. Deputetët  kanë hy të propozuar të liderit të kësaj partie. Por votën e kanë marrë nga populli. Me shpresë se do t’i përfaqësojnë zërat e tyre. Dhe ne iu kemi pru zërat e popullit. Kanë qenë 15 mijë e 300 nënshkrime…Unë mendoj që edhe në baza kushtetuese,  këto i garanton dhe ata nuk janë aty ata që vendosin. Në kuptimin e asaj qysh t’i teket liderit. Lideri mban përgjegjësinë  e vet”, tha ai.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së ka konmentuar edhe ngjarjen e 22 dhjetorit që sipas tij ajo që ndodhi në Kuvend u pa një shtet pa shtet, një shtet falso.

“E kam parë një shtet pa shtet. Një shtet fallso. Një shtet që rren kemi shtet. Një shtet që rren që kemi Kushtetutë. Një shtet që rren kem president. Një shtet që rren kem kryeparlamentar. Dhe një shtet që rren që kemi lider të partive popullore. Këta kanë bërë thyerjen kryesore të rregullit dhe demokracisë në botë, në përzierje të brendshme institucionet e huaja këtu…Ata kanë thyer rregullat demokratike të shteteve të tyre. A do të kishte lejuara Amerika, a do të kishte lejuar Britania me i bë dikush trysni, kur liderët e zgjedhur nga populli bijnë vendime a lejojnë. A lejojnë ata vet a thirren në demokraci. Por ata i kanë parë që janë pa kurrizorë, ata ia kanë qel derën me hy”, tha ai.

Haradinaj është i bindur se për ta shfuqizuar Ligjin për Specialen i kanë edhe votat e disa deputetëve të LDK-së.

“Neve do të na votojnë dhe deputetët e LDK-së. Nuk është e garantuar se nuk do të na votojnë. Krejt do të varet shumë, sepse në LDK me ata që kemi biseduar shumicën, ata e kanë një problem sepse presin zgjedhjet e brendshme dhe marrjen e kryesisë grupe të reja. Djemtë të rinj që janë njerëz parimor. Unë e di që dhe do tu kushton. Mirëpo duhet me ia vle sakrifica për me dasht popullin. Duhet të ia vlejë sakrifica. Sepse në fund të fundit ata votat do t’i lypin në popull”, tha ai.

Thotë se deputetët të cilët e kanë votuar këtë gjykatë më përpara,  duhet të jenë mirënjohës që u është ofruar dhe njëherë shansi  ta përmirësojnë gabimin. Ndërsa shpreson që kjo çështje do të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

KosovaPress ka bërë përjekje të marr deklarata edhe nga deputetët e LDK-së por shumica nga ta të mërkurën nuk kanë pasur qasje në rrjet.

Për dallim nga kolegët e tyre, një deputet i PDK-së ka folur rreth kësaj cështje por vetëm nëpërmjet telefonti.

Deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja tha se vendimin rreth kësaj çështje do ta marrin në parti dhe se ata do ta respektojnë atë.

 “Ka qenë një iniciativë e deputetëve, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ne i kemi bërë nënshkrimet. Deri në një vendim tjetër, qëndrojmë prapa atyre nënshkrimeve. Një vendim tjetër nga organet e partisë apo grupit parlamentar, unë do ta respektoj vendimin që merret si institucion. Jam edhe natyrë institucionale dhe do t’i respektoj institucionet dhe vendimet institucionale. Çdo vendim i imi do të jetë do ta mendoj paraprakisht qe me qenë në interes dhe të zhvillimit të vendit, integrimit dhe në interes të qytetarëve të vendit. Ajo që e kemi bërë atë ditë, e kemi bërë me vetëdije të plotë dhe qëndrojmë prapa saj. z. Veseli ka qenë shumë i qartë dhe real në deklaratë. Ka qenë deklaratat më e duhur e lidershipit. Ne e dimë si ka rrjedhë procesi. Ne i kemi parë dhe deklarimet e subjekteve tjera politike. Psh VV në 2015 ishte kundër gjykatës. Kurse tash u  gëzu që nuk mundi me u hjek gjykata. Ndërruan raportet e mendimeve të subjekteve politike në raport me të kaluarën. E vlerësoj dhe mbështes deklaratën e z. Veselit. Ne do të marrim vendim në grup dhe do ta respektojmë”, tha Beqaj nëpërmjet telefonit. 

Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka ardhur pas nënshkrimit të 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja dhe AAK. /KosovaPress/