10 ilaçet më të rëndësishme në 70 vitet e fundit

Këto ilaçe kanë dhënë një sërë përfitimesh; përmirësim të të dhënave klinike, më shumë jetë njerëzore të shpëtuara, cilësi jete më të mirë, efikasitet më të mirë shëndetësor dhe përfitime më të mëdha shoqërore.

Dhjetë ilaçe, dhjetë hapa jetësor për shëndetin publik dhe luftën kundër sëmundjeve. Qendra e studimeve britanike, “Office of Health Economics” në Mbretërinë e Bashkuar ka evidentuar një listë me 10 ilaçet më të rëndësishme në 70 vitet e fundit, kjo në kuadër të përvjetorit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Britanik, themeluar në vitin 1948, transmeton MAPO. Në listë bëjnë ilaçe që nga vaksina kundër fruthit dhe kundër poliomielitit e deri tek antibiotikët e gjeneratës së dytë – në të katërt të penicilinave, klorpromazina, kontraceptivët oralë, beta-bllokuesit, antiastmatikët, imunosupresorët dhe antiretroviralët. Impakti i tyre social është vendosur nga rastet e shumta të sëmundjeve dhe problematikat e zgjidhura në shëndetin publik. Rast konkret është pikërisht viti 1948 në Angli ku u evidentuan rreth 400 mijë raste me fruth, prej të cilëve 327 persona vdiqën. Ndërsa në vitin 2015 numri i personave të prekur me fruth ra gati në 1200, shpjegon doktoresha Sheuli Porkess, zëvendësdrejtore e Asociacionit të Industrisë Angleze të Farmaceutikës, (ABPI). E gjitha kjo falë zbulimit të vaksinës së fruthit dhe futjes së saj pjesë e programit kombëtar të vaksinimit. Ndaj dhe sikurse e listojnë specialistët e shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, këto ilaçe kanë dhënë një sërë përfitimesh; përmirësim të dhënave klinike, më shumë jetë njerëzore të shpëtuara, cilësi jete më të mirë, efikasitet më të mirë shëndetësor dhe përfitime më të mëdha shoqërore. Sigurisht që pjesë e industrisë farmaceutike janë edhe falimentimet, por rastet e suksesit mund të ndryshojë botën dhe kur ilaçet janë efikase e arrijnë suksesin e kërkuar mund të ndryshojnë qartësisht jetët e miliona njerëzve.

Kloropromazina

Kloropromazina është ilaçi i parë antipsikotik, prodhuar në vitin 1951. Konsiderohet themelore në “revolucionin psikofarmakologjik” dhe ka shtruar rrugën për kalimin nga kujdesi institucional në kujdesin e bazuar në komunitet për njerëzit me sëmundje mendore. Pjesa më e madhe e rëndësisë së kloropromazinës vjen nga fakti që ky ilaç është origjina e të gjitha medikamenteve moderne antipsikotike dhe antidepresive.

Vaksina kundër poliomielitit

Programi i parë i vaksinimit i implementuar në shërbimin shëndetësor britanik bënte pjesë të saj edhe vaksinën kundër poliomielitit në vitin 1955. Megjithatë, problemet në zinxhirin e furnizimit me vaksina çuan në shtrirjen e programit deri në vitin 1958: në përfundim të atij viti janë përfshirë në vaksinim 6.4 milionë persona dhe numri i rasteve të vdekur nga poliomieliti ka ardhur në rënie në Angli në mënyrë të përshpejtuar.

Kontraceptivët oralë

Kontraceptivët oralë përfaqësojnë zbulimin mjekësor më të rëndësishëm në këtë fushë. Madje ekonomisti Tim Harford e ka identifikuar si një prej elementeve më të rëndësishme në ekonominë moderne. Këto lloj ilaçesh u morën vazhdimisht çdo ditë nga miliona vajza dhe gra të shëndetshme. Ky zbulim rezultoi i suksesshëm pasi çoi në reduktimin e nënave adoleshente përgjatë viteve ’50 –60 dhe në vijim.

Penicilina

Antibiotiku i parë, penicilina u zbulua në vitin 1928. Ndërsa në vitin 1948, u zhvillua gjenerata e re e penicilinës, ampicilina, amoksicilina dhe fluksoksacilina, konsiderohen ndër më të rëndësishmet për shoqërinë. Këto kanë zvogëluar vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë e lidhur me infeksionet.

Beta-bllokuesit

U zhvilluan në fillim të viteve ’60 nga James Black, i cili më pas mori çmimin Nobel për Mjekësi, pikërisht për këtë zbulim. Me shkallë të lartë të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë, insuficienca kardiake është një problem serioz dhe në rritje: vlerësohet se 2-3% e popullsisë është prekur në vendet e zhvilluara. Ekzistojnë prova të qarta se rreziku i vdekshmërisë zvogëlohet me rreth 35% në pacientët që marrin beta-bllokues

Anti-astme

Ilaçet kundër astmës konsiderohen ndër arritjet më të rëndësishme të 70 viteve të fundit. Këto ilaçe punojnë duke hapur rrugët e frymëmarrjes në mushkëri, duke lehtësuar simptomat e astmës dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike. Në Mbretërinë e Bashkuar deri në mesin e viteve 1960, për çdo 100 mijë njerëz në moshë midis 15 dhe 44 vjeç, rreth tre vdiqën nga astma. Një dekadë më vonë, kjo normë kishte rënë nën një për çdo 300 mijë.

Tamoxifen

Trajtimi i kancerit të gjirit ka pësuar ndryshime të mëdha: tamoxifeni është cilësuar si ilaç kyç. Pas përfshirjes së këtij ilaçi në skemën e trajtimit, vdekshmëria nga kanceri i gjirit ka rënë ndjeshëm. Të dhënat nga 20 studime kanë treguar se tamoxifeni mund të shtyjë rrezikun e përsëritjes së sëmundjes me 15 vjet.

Imunosupresorët

Këto ilaçe kanë lehtësuar transplantimin e suksesshëm të organeve që nga vitet 1960. Me zhvillimet e reja në fushën e ilaçeve imunosupresore mund të zvogëlojnë shpenzimet për shërbimin shëndetësor duke zvogëluar shkallën e refuzimit të transplantit.

Antiretroviralët

Zidovudina është ilaçi i parë kundër virusit HIV, së bashku me ilaçe të tjera retrovirale, të cilat kanë parandaluar një pandemi. Pavarësisht rritjes dramatike të personave të diagnostikuar nga viti 1987 deri në 2005, në vitin 2005 numri i personave që kanë vdekur nga ky virus është goxha më i ulët në krahasim me vitin 1994. Trajtimi me antiretroviralë është përdorur edhe për të reduktuar transmetimin e sëmundjes në mënyrë vertikale, në kombinim me operacion cezarian, ai reduktoi rrezikun e transmetimit nga nëna te fëmija me 32% në 4%

Vaksina kundër fruthit

Në vitin 1948 në Mbretërinë e Bashkuar u evidentuan 400 mijë raste me fruth prej të cilëve vdiqën 327 persona. Në vitin 1968, vaksina e fruthit u fut në skemën e vaksinimit dhe numri i rasteve dhe vdekjeve u ul ndjeshëm. Megjithatë në vitin 1987 një vit para se të bëhej pjesë e skemës vaksina MMR, numri i personave të infektuar ishte akoma i lartë dhe 6 të vdekur. Në vitin 1994 ka qenë viti i parë pa vdekjen nga fruthi në Mbretërinë e Madhe. Që nga viti 2015, numri i rasteve ka zbritur nën 1200.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme