11 nga serbët që dëshirojnë të kthehen në Mushtisht, të përfshirë në krime lufte

U kritikua shumë kundërshtimi i banorëve të fshatit Mushtisht të Suharekës, që të pranojnë vizitën dhe kthimin e ish-fqinjëve të tyre serbë, në shtëpitë ku dikur jetonin.

Që nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, zyra e BE-së, zyrtarët e KFOR-it e ata të KMDLNJ-së, tërhoqën vërejtjen për, siç e cilësuan, dhunën që ndodhi të dielën në protestën në Mushtisht, me çka pamundësuan vizitën e serbëve në këtë fshat, raporton KTV.

Por, emrat e serbëve të vendosur në tabelën në hyrje të këtij fshati, për banorët e Mushtishtit janë po të njëjtit që kryen krime dhe tani po kërkojnë të kthehen.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tërheq vëmendjen se reagimi i banorëve të djeshëm vjen si shkak i mosofrimit të drejtësisë për 16 vjet.

Të dhënat e këtij fondi tregojnë për një sërë vrasjesh të kryera, si ndaj shqiptarëve, ashtu edhe ndaj serbëve gjatë viteve 1998-99, por të cilat nuk u zbardhën asnjëherë deri më tani.

Prokuroria Speciale, institucioni i cili merret me hetimin e krimeve të luftës, thotë se edhe dy rastet që ndërlidheshin me krimet e luftës, të kryera në Mushtisht, tashmë janë hedhur poshtë.

Mirëpo, të dhënat e Institutit për Hulumtime për Krime të Luftës në Kosovë flasin për një shifër prej 13 civilësh shqiptarë të vrarë, ku disa prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve, ky institut bën të ditur se prej 12 serbëve që kanë kërkuar kthim në këtë fshat, 11 prej tyre rezultojnë si të dyshuar për pjesëmarrje në krime të luftës në Mushtisht dhe rajonin e Suharekës.

Por, kritik ndaj pengesës që iu bë serbëve për të hyrë në vendbanimet ku dikur ata jetonin, ishte ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.

Ai, gjatë një interviste për mediat serbe, foli vetëm për të drejtën e kthimit, e cila sipas tij, duhet t’u garantohet serbëve, derisa nuk e tha asnjë fjalë për krimet e kryera në këtë pjesë gjatë luftës së fundit.

Sipas të dhënave të Institutit për Krime të Luftës në Komunën e Suharekës në periudhën mars – qershor 1999, janë vrarë dhe masakruar nga forcat serbe 506 civilë shqiptarë, shumë prej tyre gra, pleq e fëmijë.

Janë evidentuar 10 varreza masive, ndërsa janë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 10 mijë shtëpi dhe prona të shqiptarëve.

E për t’i humbur gjurmët e krimit, trupat e të vrarëve i zhvendosën në Serbi, ku një pjesë e tyre janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, në afërsi të Beogradit.

Edhe 110 civilë shqiptarë nga kjo komunë vazhdojnë të konsiderohet të zhdukur.