Tetovarët të çuditur pse gjenden në listën e votuesve të dyshimtë

Shumë qytetarë nga Tetova emrat e të cilëve ndodhen në listën e votuesve të dyshimtë në ueb faqen e KSHZ-së, kanë mbetur të habitur kur kanë parë të dhënat e tyre në listë. Madje, disa prej tyre këtë gjë e kuptuan gjatë inspektimit të Alsat në terren. Ata sqarojnë se nuk kanë ndërruar asnjëherë adresën e banimit dhe nuk e kanë të qartë pse u kontestohet e drejta e votës.
“Unë prej 91- shën jam anëtar i këshillit votues, kryetar këshilli zv/kryetar dhe të mos jem në listë çudi! Asnjëherë nuk kam qenë jashtë, në botën e jashtme , arsimtar kam qenë 42 vjet , si ta komentoj këtë gjendje? Punë dallaveresh është kjo”, tha Abdil Useini, Neproshten. “Jam habitur pa kufi, menjëherë u pyeta pse ? Seriozisht tash marrë vesh dhe më vjen keq. Adresë nuk kam ndërruar asnjëherë , kjo është adresa jonë”, tha Abdilnaser Bafqari, Komura e Tearcës.

“Tani kam 86 vjet, unë e kam ditur se gjithçka e kam në rregull, si mundet të ndodhë kjo. Neve shqiptarëve na heqin prej liste , nuk e di a njerëzit tanë a të tjerët na heqin . Unë në këtë fshat gjendem, nuk e kam ndërruar asnjëherë vendbanimin. Por unë do shkoj, do e rregullojë këtë punë”, u shpreh banor i Komunës së Tearcës.

Në listën e votuesve të dyshimtë ndodhet edhe profesori nga Tetova Arsim Sinani. Ai, akuzon BDI-në për problemet që iu shkaktoi shqiptarëve lista me 40 mijë votuesit e dyshimtë shumica prej të cilëve janë shqiptarë.
“Mendoj se është një gjë normale në shtete autokratike si Maqedonia , janë gjëra të cilat ndodhin. Më vjen keq që 40.000 shqiptarë tani do të duhet të merren përsëri me vetveten, unë 42 vite votoj në të njëjtën njësi zgjedhore asnjëherë nuk e kam ndërruar adresën pavarësisht se kam ndërruar shtëpinë, por gjithmonë në të njëjtin vend kam votuar, për hajr i qoftë kjo zotit Ahmeti”, deklaroi Arsim Sinani, Tetovë.

Qytetarët të cilët gjenden në listën e votuesve të dyshimtë, do të duhet të paraqiten në njësitë rajonale të KSHZ-së dhe në zyrat e Drejtorisë për libra amë deri më 16 gusht për të konfirmuar të drejtën e tyre të votës./Alsat

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë