2000 vjet burg dhe 4.8 milionë dollarë gjobë për Fetullah Gulen

17 Gusht 2016 – 09:01      Sakte.net

Burgim të përjetshëm, pas tij 1900 vite burg dhe 4.8 milionë dollarë gjobë është masa e caktuar nga prokuroria për Fetullah Gulen për akuzën e orkestrimit të grushtit të shtetit në Turqi.

Prokurorët turq e kanë dorëzuar dosjen e aktakuzës me mbi 2500 faqe kundër klerikut Gjykatës së Lartë të Stambollit, ku theksohet se kleriku është përpjekur të shkatërrojë rendin kushtetues me forcë, duke udhëhequr një grup të armatosur terrorist. Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e menjëhershëm të Fetullah Gulenit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa thonë se apeli i tyre është në rrugën e drejtë.

Rreth 240 persona humbën jetën mbrëmjen e 15 korrikut. Prej asaj nate, turqit janë bërë dëshmitarë të një reforme masive që ka përfshirë radhët e ushtrisë dhe administratës publike. Rreth 26 mijë persona janë burgosur, ndërsa 82 mijë të tjerë janë shkarkuar nga funksionet publike. Pas të hënës ku policia bastisi në Stamboll zyrat e tre gjykatave, në kërkim të 173 punonjësve të tyre, policia turke ka bastisur zyrat e 44 kompanive dhe po kërkon arrestimin e 120 drejtuesve të tyre, në kuadër të hetimit mbi grushtin e dështuar të shtetit.

Erdogan e kishte paralajmëruar armikun e tij të përbetuar se nuk do e priste një periudhë e mirë pas tentativës për të rrëzuar pushtetin, por Fetullah Gulen ka mohuar çdo akuzë dhe është shprehur se nuk do të lëvizë nga Pensilvania.