30 milionë euro për Xhaminë Qendrore në Prishtinë dhe Katedralen në shtetin më të varfër në Evropë

Projekti i Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka mbetur vetëm me një gurthemel të vendosur në vitin 2012.
Ishte kërkuar me ngulm nga komuniteti mysliman në vend, megjithatë, gati tri vjet kanë kaluar dhe as që ka filluar puna në ndërtimin e Xhamisë Qendrore. Hapësira e ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e xhamisë vazhdon të shfrytëzohet njëjtë si më herët, parking për veturat e PTK-së.
Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka thënë se ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë mund të kushtojë rreth 20 milionë euro.

Ndërsa, Don Lush Gjergji, nga Ipeshkvia e Kosovës, ka deklaruar se financimi për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë bëhet kryesisht nga besimtarët katolikë që jetojnë në Kosovë, sikur edhe nga diaspora shqiptare, e cila gjendet në Evropë dhe në Amerikë, por një pjesëmarrje prej rreth 20 për qind janë edhe nga donatorët ndërkombëtarë.
Në bazë të projektit, ndërtimi i tërësishëm i kësaj katedrale parashihet të kushtojë rreth 10 milionë euro.

Përndryshe, 30 milionë euro në total janë paraparë të ndahen për të dy objektet e kultit që do të ndërtohen në shtetin i cili sipas raporteve të Bankës Botërore dhe Agjencisë së statistikave japin shifra shqetësuese mbi varfërinë. Afro 30 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë, kurse 10.2 për qind nën kufirin e varfërisë së skajshme. Varfëria ekstreme është më e shprehur në zonat rurale. Kjo kategori e popullsisë jeton me 1.72 euro në ditë. /Sakte.net

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë