Shqiptarja rrëmbehet në kampin e refugjatëve: U zgjova pranë 4 burrave

Një grua shqiptare dyshohet se është rrëmbyer dhe përdhunuar.

Ngjarja ka ndodhur në një kamp refugjatësh në Burbach të Gjermanisë, ku gruaja është zhdukur për dy ditë me radhës.

Lajmin e bën me dije televizioni gjerman WDR, sipas të cilit gruaja është droguar dhe rrëmbyer dhe më pas dyshohet se është përdhunuar. Gruaja rrëfen se kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli në kamp dhe më vonë kur është zgjuar, ka parë që ishte në një banesë të panjohur ku pranë ishin disa burra, midis të cilëve edhe një punonjës kampi.

Ngjarja besohet se ka ndodhur në fundit të shkurtit, ndërsa është bërë publike tani. Të paktën, këtë pretendon gruaja nga Shqipëria, e cila preferon të mbetet anonime. “Pasi kam konsumuar tre gota alkool, kam humbur vetëdijen”, tha ajo për WDR.

Shqiptarja rrëmbehet në kampin e refugjatëve: U zgjova pranë 4 burrave

Televizioni interviston edhe një shqiptar i quajtur Armando Milloshi, i cili deklaron të njëjtat gjëra që rrëfen gruaja, shkruan Oranews.

“Unë kam parë se si ata kanë pirë së bashku vodka. Gruaja më pas u shemb papritmas. Gruaja u dërgua më pas në një Mercedes, që e çuan larg shumë shpejt”, tha ai.

Rasti është marrë nën hetim nga prokuroria, por është shumë e vështirë që të provohen akuzat pas pesë muajsh kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja.