41 vjet burgim shtatë personave që shitën drogë nga Kosova në Evropë

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 41 vjet burgim shtatë persona të akuzuar për krim të organizuar dhe shitblerje të marihuanës.

Ata kishin fshehur drogën nëpër tavolina e dërrasa me qëllim transportin në Evropën Perëndimore dhe në Turqi përmes Maqedonisë së Veriut.

Të dënuarit janë: A. L., R. H., F. G., F. A., G. A., F. S. dhe Z. B.

“Të akuzuarit janë fajtor, sepse nga muaji shkurt 2017 deri më 30.04.2017, me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar, duke u marr me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve të llojit “marihuanë”, të cilën e kanë paketuar dhe fshehur nëpër tavolina dhe dërrasa, që pastaj të transportojnë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Turqi përmes Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Themelores në Gjilan.

Pas hetimeve, në shtëpinë e të akuzuarit A.L. në Sojevë të Ferizajt, ishin gjetur 500 kilogramë narkotikë, të vendosur dhe fshehur në 20 tavolina.

Në shtëpinë e R.H. në Bibaj të Ferizajt ishin gjetur 28 kilogramë narkotikë të fshehura në 64 pako të dërrasave, ndërsa tek i akuzuari F. G. në Krushë të Madhe janë gjetur 184.39 kilogramë të llojit marihuanë, të fshehura në 10 tavolina të mëdha dhe 4 tavolina të vogla.

Gjykata ka thënë se me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Të akuzuarit F. A., G. A., F. S., Z. B. janë shpall fajtor për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, ndërsa i akuzuari L. N. është liruar nga akuza.

Dënimet janë këto:

I akuzuari A. L. është gjykuar me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 50.000 euro gjobë.

I akuzuari R. H. është gjykuar me 11(njëmbëdhjetë) vjet burgim dhe 50.000 euro gjobë.

I akuzuari F. G., është gjykuar me dënim prej 8 (tetë) vjet burgim dhe 20.000 euro gjobë.

I akuzuari F. A. është dënuar me 4 (katër) vjet burgim dhe 10.000 euro gjobë.

I akuzuari G. A. është gjykuar me 4 (katër) vjet burgim dhe 5.000 euro gjobë.

I akuzuari F. S. është gjykuar me 2 (dy) vjet burgim.

I akuzuari Z. B. është dënuar me 1(një) vit burgim.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim për të akuzuarit A. L., R. H. dhe F. G., të cilëve do t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërkohë të akuzuarit G. A. i ndërpritet masa e paraburgimit.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme