49 gjedhe të ngordhura nga sëmundja Gungore – 2609 gjithsejtë të prekura

Sëmundja e lëkurës tek kafshët, ajo e Gungores, tanimë është përhapur në të gjitha komunat e Kosovës. Derisa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka vaksina, nga kjo sëmundje janë prekur 2609 krerë.

Sipas statistikave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, deri më tani nga 156 ferma të lajmëruara, del se 2609 krerë janë prekur nga sëmundja e Gungores, prej tyre 321 me shenja klinike të qarta dhe 49 gjedhe të ngordhura.

Por fermerët tani për tani nuk mund të shpresojnë në vaksinimin e gjedheve të tyre, pasi që nuk ka vaksina të mjaftueshme.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, në një intervistë për KosovaPress, tha se një periudhë të shkurtër kohore do të sigurohen edhe vaksinat për të parandaluar këtë sëmundje.

Ai më tej tregoi që 25 mijë doza të vaksinave të cilat ishin siguruar nga Komisioni Evropian, në rend të parë janë shpërndarë për gjitha kafshët në Komunën e Kamenicës, e cila është konsideruar zona e parë, ku ka shpërthyer kjo sëmundje.

Gjinovci ka treguar se numrat e kafshëve të prekura po lëvizin çdoherë duke shënuar rritje.

“Është sëmundje e cila është duke u përhapur dita e ditës, thuajse në gjithë territorin e vendit dhe të gjitha komunat. Informacionet të cilat vijnë nga terreni, numrat ndryshojnë dhe lëvizin, gjithherë është duke shkuar duke u rritur numri. Në kuadër të kësaj edhe numri i kafshëve të cilat kanë ngordhur deri më tani është 49 çka do të thotë që ky numër do të ndryshoj apo do të ndryshoj nesër, pasnesër dhe ditëve në vijim”, tha Gjinovci për KosovaPress.

Gjinovci tha se janë duke punuar që të sigurohen vaksinat dhe në mënyrë që të bëhet vaksinim masiv në gjithë territorin e vendit. Megjithatë, nuk ka dihet afati kohor, pasi vetë zona ku prodhohen është jo e lehtë për t’u siguruar.

“Nuk ka vaksina të mjaftueshme, ai numër i vaksinave që ka ardhur në fillim nga ana e Komisionit Evropian është shpërndarë dhe është shpenzuar deri tani…vaksinat do të sigurohen nga ana e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe do të realizohet vaksinimi masiv i të gjitha gjedheve në territorin e vendit. Është sëmundje e cila ka prekur gjithë rajonin, gjithë Ballkanin jo vetëm Kosova. Është diçka që ka ndodhur tani për tani për herë të parë dhe bashkërisht me të gjitha institucionet jemi duke u munduar që të tejkalojmë këtë situatë e cila nuk është e lehtë”, tregoi Gjinovci.

Kryeshefi i AUV është shprehur se përhapje e kësaj sëmundje tek gjedhet, është alarmuese për fermerët, pasi që siç thotë ai shumë familje kanë edhe ekzistencën nga fermat e tyre.

“Është alarmuese për fermerët, jemi të sinqertë, e në veçanti për ata fermerë të cilët kanë numër të madh të krerëve..por duke pasur parasysh edhe gjendjen socio-ekonomike, ku shumë nga familjet tona kanë edhe ekzistencën nga fermat e tyre, neve jemi duke u munduar që në kohën sa më të shpejtë dhe në afate sa më të shkurtër të bëjmë sigurimin e vaksinave dhe vaksinimin masiv të gjedheve”, është shprehur Gjinovci.

Se a do të përdoret ndonjë dezinsektim që sëmundja të mos përhapet, Gjinovci tha se e vetmja mënyrë është vaksinimi. Mirëpo, ai tha se kërkohet një mobilizim i të gjitha institucioneve për t’iu dalë në ndihmë fermerëve.

“Kërkohet një mobilizim i të gjitha institucioneve për arsyeje se nuk është e lehtë edhe për Agjencinë e Ushqimit, nuk është e lehtë edhe për autoritetet komunale në këtë rast për komunat e vendit, e aq më tepër nuk është e lehtë për vetë fermerët që të realizojnë asgjësimin e tyre, mirëpo, ajo çka është e rëndësishme është një bashkëpunim i mirë me komunat e Kosovës, dhe një takim që është mbajtur edhe me kryetarët e komunave të gjithë janë mobilizuar dhe janë zotuar në një formë që t’iu dalin në ndihmë fermerëve”, ka shtuar Gjinovci.

Gjinovci pati edhe një mesazh për fermerët, se në të gjitha rastet ku kanë dyshime për shenja të kësaj sëmundje t’i informojnë dhe t’i njoftojnë veterinerët në komuna, dhe ë bëhet ndarja e gjedheve të prekura, me qëllim që sa do pak të parandalojnë përhapjen e sëmundjes në të gjithë fermën.

Sëmundja e Gungores prej vetëm gjedhet, dhe nuk prek specie tjera të kafshëve, e as shëndetin publik.