9-shi që Serbia nuk mundi ta ndalte dot!

Më 3 maj të vitit 2016 iu dha fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar dhe sportit në përgjithësi. Federata kosovare e futbollit u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA në kongresin e mbajtur në Budapest.

Shkruan: Besnik Batusha, kryeredaktor i lajmi.net

Ishte betejë e ashpër me disa federata që Kosova të pranohet në shtëpinë evropiane të futbollit, por ishin miqtë dhe rrethi që krijoj Fadil Vokrri që i dhanë shtytjen e fundit dhe finale pranimit.

“Votimi i sotëm do të ndikojë edhe në pajtimin me fqinjët tanë. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Pranimi i FFK-së në FIFA, është krejtësisht legjitim. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”. Ky ishte fjalimi emocionues i Vokrrit në kongresin e FIFA-s më 13 maj të 2016, i përloti të gjithë shqiptarët anembanë botës. Në këtë kongres Kosova u konfirmua edhe anëtare e FIFA.

Vokrri e përmbushi misionin më të rëndësishëm në jetë, goditi aq fuqishëm saqë kundërshtarët të prirë nga Serbia nuk munden ta ndalin golin e historisë.

Thyerja e këtij izolimi dha shpresë në Kosovë. Të rinjtë u mbushën me vullnet për të luajtur futboll, ata që vazhdonin të luanin u bën gati për arenën ndërkombëtare, kurse më të moshuarit që mision e kishin pranimin, qanë me lot gëzimi dhe kujtuan vuajtjet, sakrificat, kujtuan futbollistët dëshmorë që zëvendësuan topin me pushkë për ta bërë Kosovën, për ta fituar lirinë.

Futbolli mbarëshqiptar sot humbin Maradonën e tij, idhullin, njeriun që ngrohi zemrat e tyre. Humbi golgeterin i cili mbushte shkallët e stadiumit sa herë që Prishtina luante.

Nuk ishte shqiptari i parë që luajti për reprezentacionin e ish Jugosllavisë, por ishte më i mirë, ishte ylli i ri që po linte gojëhapur të gjithë ‘jugosllavët’ e asaj kohe të cilët Kosovën dhe shqiptarët i kishin shtypur. Fadil Vokrri u transferua nga Prishtina në Partizan, por asnjëherë nuk e la pas vendlindjen. Atje bëri namin, saqë edhe sot e kësaj dite tifozët e Partizanit e kanë idhull dhe e kujtojnë çdoherë. Ishte Vokrri që nisi t’ua ndryshonte bindjet serbëve dhe të tjerëve për shqiptarët.

Luajti edhe për Fenerbahçen e famshme të Turqisë, ndërsa ishte gati të bëhej pjesë e Juventusit, por këtë ëndërr ia ndalën në gjysmë. Ishte politika serbe që e detyroi të shkonte në shërbimin ushtarak.

Karrierën si futbollist aktiv e mbylli në vitin 1992 pak pas nisjes së shpërbërjes së Jugosllavisë. I vari këpucët në gozhdë pasi luajti në disa klube të Francës.

Pas kësaj pauzoi një kohë për t’u rikthyer në vendlindje pas çlirimit. Një kohë ishte edhe në klubin e zemrës, si drejtor sportiv në FC Prishtina, ndërsa në vitin 2008 u bë kryetar i Federatës së futbollit dhe nisi misionin fisnik, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Përballë e kishte një shtet të tërë, ishte Serbia që vazhdonte t’ia ndërpriste rrugëtimin, por ai asnjëherë nuk u ndalë. Asnjëherë nuk rreshti se kërkuari të drejtën që i takonte Kosovës. Dhe këtë e arriti gati krejtësisht i vetëm. Askush nuk bëri më shumë se Fadil Vokrri për promovimin e Kosovës si shtet.

Njeriu që e nxori Kosovën nga izolimi, njeriu që e ndërkombëtarizoi Kosovën, njeriu që e forcoi sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit tonë. Fadil Vokrrin Serbia nuk mundi ta ndalte assesi, thjesht nuk gjente mbrojtjes për një sulmues të kalibrit të tij.

Ai e goditi Serbinë aty ku askush deri atëherë nuk mundi, e goditi në sport, në futboll. Një shtet i tërë kundër një njeriu dhe në fund fitoi njeriu i quajtur Fadil Vokrri. Nga një zyre 4 me 4 arriti ta neutralizonte propagandën masive, makinerinë shtetërore serbe. Prandaj nëse dikush e meriton plotësisht epitetin legjendë është Vokrri, është kosovari që me 9-shin e tij në shpinë unifikoi një popull të tërë.

Vokrri i urtë, fjalëpak, Vokrri legjendar iku për të mos u kthyer më. Iku në heshtje, edhe pse në të gjithë rrugëtimin e tij jetësor bëri një zhurmë të madhe lavdie, fitoreje, triumfi.

Tashme historia e ka rezervuar vendin e lavdishëm për të. Lamtumirë kapiten, lamtumirë gjigant!

Lini Një Koment