A ishte shkaktar Ramush Haradinaj që të fillonin përgjimet ndaj Adem Grabovcit?

7 vite më parë, përkatësisht në vitin 2009, opinioni ishte befasuar me akuzat e udhëheqësit opozitar nga radhët e AAK’së, Ramush Haradinajt, i cili drejtonte akuza të ashpra në adresë të Adem Grabovcit, i cili asokohe ishte zëvendësministër në Ministrinë e Transportit

Asokohe i pari i AAK-së pretendonte se nga Ministria e Transportit financohet SHIK-u, njerëzit e PDK-së që shkojnë për të krijuar shantazhe ose të ndërmarrin veprime nga këto para. Ndërsa, ish zëvendësministrin e Transportit, Adem Grabovcin, e kishte quajtur arkëtar të SHIK-ut.

“Adem Grabovci është i ngarkuar nga qeveria për t’i paguar këto grupe për t’i krijuar epërsi PDK-së dhe për t’i shkaktuar dëme partive tjera politike në vend”, kishte deklaruar Haradinaj në kohën kur AAK ishte partia më e ashpër kundër qeverisë Thaçi.

Kundërpërgjigjja e Grabovcit do të ishte edhe më e ashpër. Ai i kishte hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se janë akuza të pabazuara, pa fakte dhe se kanë për qëllim linçimin dhe shantazhimin. Por, edhe Grabovci nuk kishte lënë asgjë “mangut” sa i përket akuzave. Në letrën publike drejtuar Haradinajt, ai i shtronte pyetje rreth pasurisë marrëmendëse personale të udhëheqësit të AAK’së, duke përfshirë shtëpi dhe banesa në Prishtinë, Tiranë, Prizren, Durrës, Brezovicë, madje edhe dy vila jashtë shtetit, në Monte Karlo dhe në Dubai. Grabovci e akuzonte Haradinajn si uzurpator që ka përvetësuar në emër të luftës, si dhe kontrollues të lojërave të fatit dhe bizneset e Casino-s! Po ashtu, ishte i pari Grabovci që e kishte akuzuar Haradinajn për reket dhe zhvatje të bizneseve.

Të gjitha këto akuza dhe kundërakuza ishin zhvilluar pak kohë para se Adem Grbovci ta linte postin e zëvendësministrit dhe të bëhej udhëheqës i grupit parlamentar të PDK – së, apo siç njihet në opinion “shef i shefave”.

Të gjitha përgjimet e publikuara tash së fundmi datojnë se janë realizuar pak kohë pas ballafaqimit publik të këtyre dy figurave që 7 vite më parë kishin shkëmbyer akuza të rënda në adresë të njëri – tjetrit.

Përgjimet dëshmuan se Haradinaj në një masë të madhe kishte të drejtë në akuzat që kishte drejtuar në adresë të Adem Grabovcit. Mbetet të shihet nëse Grabovci kishte të drejtë kur akuzonte Ramush Haradinajn!/Sakte.net