AAK: Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve në Mushtisht

Grupi Parlametar i AAK-së ka reaguar për dhunën policore ndaj njerëzve në Mushtisht, të cilën e quajnë të papranueshme, duke shtuar se ata kanë treguar me kohë që nuk i duan serbët në fshat.

“Pamjet e dhunës policore ndaj njerëzve të Mushtishtit, janë të papranueshme. Fshatarët e kanë treguar me kohë që nuk i duan serbët në atë fshat pa u bërë drejtësia për masakrat që kanë ndodh aty”, thuhet në reagimin e AAK-së, transmeton Koha.net.

Ata kanë thënë se Qeveria e Kosovës është dashur ta sqarojë këtë situatë, dhe se presidenti në vend se të përkulet para memorialëve ku shqiptarët konsiderohen terroristë, është më mirë të kërkojë kthimin e trupave të të pagjeturve në Kosovë.

“Nuk mundesh edhe të jesh ‘xhelati’ edhe të kthehesh në vendin e krimit sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria e Kosovës, është dashtë që më kohë të marrë masat e kjartesimit të situatës atje. Presidenti, në vend që të përkulet para memorialëve ku akuzohen shqiptarët si ‘terrorist’ është mirë që të kërkojë nga Serbia të tregojnë ose t’i kthejnë trupat edhe të mbi 1000 të zhdukurve. Nuk mund të ketë paqe të njëanshme dhe të bësh kërkim falje pse ke qenë viktimë”, thuhet në tej nga AAK.

AAK kërkon që mos të shkaktohen plagë të reja njerëzve në Mushtisht e në mbarë Kosovën.

“Ata që i kanë shkaktuar vuajtjet duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve të Mushtishtit dhe të mbarë Kosovës. Kërkim falje dhe drejtësi për mijëra viktimat e luftës!”, përfundon reagimi i AAK-së.