Aeroplani i udhëtarëve rrëshqet nga pista, futet në autostradë

Një aeroplan i kompanisë “Caspian Airlines” rrëshqiti nga pista dhe doli në një autostradë në pjesën jugperëndimore të Iranit. Mediet shtetërore iraniane thanë se asnjë udhëtar nuk është lënduar.

“Fluturimi me numër 6936 me 135 udhëtarë është nisur nga Tehrani në orët e hershme të së hënës. Ai doli nga pista gjatë aterimit në aeroportin Mahshahr pa ndonjë pasojë”, raportoi agjencia IRNA.

Kjo agjenci, duke i cituar zyrtarët lokalë të aviacionit, tha se aeroplani u lëshua me vonesë në tokë për shkak të një problemi teknik dhe kjo gjë e shkaktoi incidentin e daljes nga pista.

“Aeroplani nuk është përfshirë nga zjarri dhe të gjithë pasagjerët janë larguar në mënyrë të sigurt”, tha menaxheri rajonal i aeroporteve, Mohammad Rezaei.

Të shtunën, një aeroplan iranian, i cili ishte nisur drejt Stambollit, bëri ulje emergjente në aeroportin e Tehranit për shkak të një problemi teknik, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Kompanitë iraniane të fluturimeve kohëve të fundit janë përballur shpesh me aksidente. Udhëheqësit thonë se ato po ndodhin për shkak të sanksioneve amerikane, me të cilat po pamundësohet blerja e aeroplanëve të rinj.

Lini Një Koment