Afër 100 mijë vota u dogjën në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni

Sipas votave të numëruara 99.72 %, të dhënat zyrtare të KSHZ-së thuan se prej gjithsejtë 1.189.481 votues që kanë votuar, 37.812 fletëvotime janë të pavlefshme, transmeton TetovaSot.

Numri i votave të pavlefshme është më i madh nga numri i votave që i fituan shtatë prej njëmbëdhjetë koalicioneve që kanë marr pjesë në zgjedhje.

Më shumë vota ka marr VMRO-DPMNE, pastaj LSDM, BDI dhe Besa, ndërsa prapa tyre, sipas numrit të votave janë ato që janë të pavlefshme.

Numri i votave të pavlefshme dhe numri i votave që i fituan partitë që nuk do të marrin asnjë mandat është thuajse 100.000.

Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi ka marr 10.083 vota, PPD 1142, Partia Liberale 3840 vota. VMRO për Maqedoni 24.449 dhe E Majta 12.119.

Të shpërndara në njësi zgjedhore, asnjëra prej këtyre koalicioneve nuk ka numër të mjaftueshëm të votave për të fituar mandat.

Numri i përgjithshëm i votave i këtyre partive jashtë parlamentare është 51.633 vota, gjegjësisht tri herë më shumë nga dallimi që e kanë dy partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM, dhe kjo është 16.240 vota.

Nëse i mbledhim edhe votat e koalicioneve që nuk fituan mandat dhe votat e votave të pavlefshme dalin 89.445, gjegjësisht numri i votave të djegura është menjëherë prapa numrit të votave që i fitoi VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja.