Akademia e Shkencave del me qëndrim rreth dialogut dhe idesë për ndryshimin e kufijve

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në prag të shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shpreh shqetësime serioz lidhur me diskursin politik, veçanërisht nga bartës të përgjegjësive institucionale, lidhur me fazën e fundit të procesit të dialogut me Serbinë, duke thënë se janë të papranueshme mungesa e platformës unike shtetërore dhe qëndrimet kontroverse e përçarëse në mes bartësve të institucioneve kryesore të vendit.

ASHAK thekson se diskursi i tensionuar për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë si ide dhe plan i vjetër serb, në formë të “korrigjimit”, “shkëmbimit” dhe “ndarjes” së Kosovës, është me pasoja shumë të dëmshme për pavarësinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës dhe interesave të saj.

Lexoni të plotë reagimin e ASHAK-ut:

Në vigjilje të shënimit të njëmbëdhjetë vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njëzet vjetorit të operacioneve të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, shprehim shqetësime serioze lidhur me diskursin politik, veçanërisht nga bartës të përgjegjësive institucionale, përkitazi me fazën e fundit të procesit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Janë të papranueshme mungesa e platformës unike shtetërore dhe qëndrimet kontroverse e përçarëse në mes bartësve të institucioneve kryesore të Kosovës.

Duke vlerësuar maksimalisht kontributin e SHBA-së, BE-së dhe miqve të tjerë në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, shprehim bindjen se ata do të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Kjo përkrahje posaçërisht është e nevojshme në kohën e letërkëmbimeve diplomatike ku për interesa vetjake po trumbetohet për gjoja gatishmërinë për të “bërë kompromise të dhimbshme për marrëveshjen historike midis Kosovës e Serbisë”. Ndërsa neglizhohen pasojat e rrezikshme për fillimin e serishëm të konflikteve dhe gjakderdhjeve të reja në Ballkan dhe më gjerë. Ky ndryshim eventual i kursit do të ishte kthim prapa i përpjekjeve njëzetvjeçare ndërkombëtare për krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës për më shumë se katër dekada të ekzistimit të saj në asnjë rast nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve të mëdha shoqërore dhe politike. Akademia e ka shprehur publikisht mendimin shkencor për shumë çështje në momentet kyçe të zhvillimeve shoqërore dhe politike: nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe gjatë gjithë viteve 90, pas luftës është shprehur disa herë për statusin e Kosovës, për bisedat e Vjenës 2005-2007, për Mitrovicën dhe Veriun e vendit, për Kushtetutën, për Planin e Ahtisarit, për Decentralizimin, për Luginën e Preshevës, për Trashëgiminë kulturore, për Regjistrimin e popullsisë, për procesin e anëtarësimit në UNESCO, për sjelljen e SANU-s ndaj Kosovës dhe shqiptarëve etj. Për të gjitha këto çështje Akademia ka shprehur qëndrime publike, ka mbajtur disa tryeza dhe konferenca shkencore, ka botuar studime, monografi dhe libra shkencorë.

Diskursi i tensionuar për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë si ide dhe plan i vjetër serb, në formë të “korrigjimit”, “shkëmbimit”’ dhe “ndarjes” së Kosovës, është me pasoja shumë të dëmshme për pavarësinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës dhe interesave të saj.

Andaj:

Republika e Kosovës fazën përfundimtare të dialogut me Republikën e Serbisë, duhet ta zhvillojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor në fuqi dhe në mbështetje të kompetencave kushtetuese të institucioneve shtetërore.

Republika e Kosovës fazën vijuese përfundimtare të dialogut duhet ta zhvillojë në zbatim të obligimeve të pranuara ndërkombëtare konform Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, A/RES/64/298 të 9 shtatorit 2010 me të cilën pranohet Opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi përputhshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me të Drejtën Ndërkombëtare, me të cilën është hapur rruga për të hyrë në dialogun ndërshtetëror me Republikën e Serbisë, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

Republika e Kosovës, mund të zhvillojë fazën përfundimtare të dialogut, përballë Serbisë a palëve të treta, vetëm si shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete dhe i konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (Ligjshmëria e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 22 korrik 2010), nën kornizat kushtetuese:

        Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

        Rregullimi i brendshëm i vendit është kompetencë sovrane e institucioneve shtetërore, e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

        Plani i Ahtisarit është platforma e vetme për rregullimin e të drejtave dhe të garancive për komunitetet,i integruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ofron gamë të gjerë të drejtash të veçanta për komunitetin serb, i cili tejkalon standardet ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve (komuniteteve).

       Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të themelohet në përputhje të plotë me Aktgjykimin në rastin nr. KO130/15, të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të ruhet karakteri unitar i Republikës së Kosovës, si dhe funksionaliteti i shtetit.

Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë a të pranojë të negociohet çfarëdo ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, në formë të “korrigjimit”, të “shkëmbimit”’ dhe të “ndarjes” së Kosovës, sepse kjo do të kishte pasoja të pariparueshme për shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Veçanërisht kur kihet parasysh fakti që Dokumenti i Presidentit Marti Ahtisari dhe dokumentet e tjera, si: Kushtetuta e KSA të Kosovës e vitit 1974, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008, Kushtetuta e Republikës e vitit 2008 dhe Mendimi Këshillues i lartpërmendur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, harta e KFOR-it që i përcakton qartë kufijtë e Kosovës, të kornizuar në 10.905 km², të cilat i referohen tërësisë aktuale territoriale në të cilën janë të përcaktuar kufijtë e Kosovës.

Çdo ndarje territoriale-etnike e Kosovës, jashtë kufijve të përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të rrezikonte mosekzistimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran, sikundër që copëtimi i Luginës së Preshevës do ta fshinte atë si entitet. Çdo diskutim për çështjen e kufijve do të rrezikonte presionin aktual të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Serbisë për decentralizimin e pushtetit në favor të autonomisë lokale e cila direkt do të ndikonte në zhvillimin e Luginës së Preshevës.

Republika e Kosovës, në fazën vijuese përfundimtare të dialogut duhet ta shfrytëzojë si mundësi të papërsëritshme për avancimin e pozitës kushtetuese dhe të drejtave legjitime të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, paralelisht me ato të serbëve të Kosovës, mbi bazën e parimit të reciprocitetit.

Një konsensus politik e kombëtar është i domosdoshëm në mënyrë që procesi i dialogut të përmbyllet me sukses të plotë dhe në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, fazën përfundimtare të dialogut duhet ta zhvillojë në koordinim dhe në bashkërendim të ngushtë me aleatët perëndimorë, si SHBA-në dhe BE-në, në mënyrë që përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare në këtë proces, të jetë vijimësi e kontributit të partnerëve strategjikë, sikurse në fazën e luftës për liri, për shtet, për paqe, për siguri dhe për stabilitet rajonal.

Me këtë rast kërkojmë nga Presidenti, Kryeministri, e në veçanti nga Deputetët e Parlamentit të Kosovës, të qëndrojnë të palëkundshëm në mbrojtjen e tërësisë dhe të sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme