Akademik Ali Aliu, shtatë libra studimorë për shtatë autorë

 

Shkruan: Emad Mehmeti

 

Letërsia bashkëkohore shqiptare mund të konsiderohet si periudha që prodhoi vepra të shkëlqyera të shkrimtarëve tanë të mëdhenj. Edhe pse nisi nën presionin e madh të socrealizmit, kjo letërsi solli me vete një kohë të begatë të krijimtarisë letrare, e cila me rënien e komunizmit gjeti një frymëmarrje të re dhe shënoi një hop shumë cilësor për letërsinë tonë kombëtare.

 

Kritiku i mirënjohur, akademik Ali Aliu, vjen për lexuesin me një kontribut të cmuar, pikërisht mbi letërsinë bashkëkohore shqipe. Botimi më i fundit i tij, i përmbledhur në një kolanë, sjell shtatë libra studimorë për shtatë autorë të tri vendeve shqipfolëse, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Në të gjenden, studime të veçanta mbi krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe poetëve: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Zija Çela, Kim Mehmeti e deri tek më e reja Majlinda Rama.

 

“Janë të shumtë emrat e shkrimtarëve bashkëkohorë të shqipes, veprat e të cilëve i kam lexuar me vëmendje dhe mbresa të bëra publike… Gjatë një harku kohor mbi gjysmë shekulli, letërsinë tonë, bashkëkohore dhe të traditës, kudo krijohet ajo, e kam parë dhe ndjerë si një të tërën, të një trungu, edhe gjatë kohës së kufijve të rëndë. Disa nga ata autorë i kam ndjekur, hap pas hapi, duke mos e lënë jashtë vëmendjes asnjë vepër të tyre. Numri i të tillëve, autorëve të përfshirë në këtë kolanë (sipas alfabetit) Azem Shkreli, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Kim Mehmeti, Majlinda Rama dhe Zija Çela, janë edhe dhjetra, krijimtarinë e të cilëve e kam ndjekur të plotë dhe shpresoj që kjo kolanë të vijojë edhe më tej, me autorë të tjerë”, sqaron autori për lexuesit.

 

 

Në të gjithë librat, autori i kolanës ka bërë një studim të thelluar mbi prurjet letrare, kohë pas kohe, të autorëve të sipërpërmendur.

 

Në librin “Azem Shkreli – lirika që la gjurmë të një epoke”, autori ndër të tjera shprehet: ”Në krijimtarinë poetike, Azem Shkreli ngre një mozaik unik, tek i cili, çdo figurë, figurinë apo detaj, qëndron lidhur brenda të njëjtit kozmos. Nuk ka bredhje, nuk ka shkëputje të palidhura nga kjo tërësi unike. Të gjitha ngjizjet dhe zëniet e frymëzimit kanë një vizion bosht, mbi të cilin mbështeten krejt dridhjet e telave poetikë. Boshti bartës i poezisë së Shkrelit ka një bërthamë busullore të lindur, ka konstruksion etike, si në jetë, ashtu edhe në poezi. Kjo bën që, në gjirin e vet, poezitë, të mbajnë të zgjuar ngasjen, shqetësimin e kohës, si rrjedhë dramatike, si fat dhe fatkeqësi, si gjasë e përballuar, e fituar apo e humbur… Si rrjedhë kosovare apo universale, edhe atëherë kur duket se, në ndonjë rast apo situatë të veçantë, del nga ky nënqiell kompakt i poezisë së vet, asnjëherë nuk mungon një rreze, një nerv, qoftë edhe i padukshëm që s’komunikon me boshtin. Lirikat e tij, brenda këtij boshti, vijnë si lirika për Kosovën, lirika për kohën dramatike, vijnë si bosht qëndror etik, vijnë si lidhje e pashkëputur, Rugovë – etni – antikitet – vizion”.

 

Ndërsa në librin “Dritëro Agolli – poeti lirik dhe prozatori i sfidave”, kritiku thekson: Poezia e Dritëro Agollit, vjen si një frymëmarrje Uitmaniane, shquhet për natyrën e hapur, të lehtë në komunikim dhe provokative. Fare natyrshëm, ajo vjen e fuqishme, si shkëndijim i reflekseve, emocioneve dhe imazheve, është e qartë, plastike si ekspresion dhe e ngjeshur në mesazhe…Por ajo që është më e veçanta në poezinë e këtij autori, është muzikaliteti, melodioziteti më përmbajtësor dhe më estetiku në tërë poezinë shqipe. Po ashtu, natyrë tjetër, e lindur krahë eufonisë dhe ritmit, poezia e tij, në bërthamën e vet, ka edhe lëvizjen, edhe veprimin, edhe ndryshueshmërinë aktive të brendshme, të çdokohshme në jetë, në gjithësi dhe në përditshmëri… Dritëro Agolli është, po ashtu, prozatori i veçantë i letërsisë shqipe. Dhe, në këtë kontekst, më i veçanti dhe më i paimagjinueshmi, do të jetë romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”… Padyshim do të mbetet kryevepër e autorit dhe një nga kryeveprat e prozës shqipe përgjithësisht”.

 

Fatos Arapin, akademiku Aliu e sheh si një ndër poetët më të mëdhenj të kësaj periudhe letrare, mendim të cilin e zgjeron në librin “Fatos Arapi- poezia lririke që vendosi standarde”: ”Në vizionin e vet poetik të shqetësuar, poeti sheh harmoninë e munguar që sundon përreth, shtrirjen e kaosit, njësoj si pamundësinë e ëndrrës për t’i gjetur shpresës një mbështetje.

 

Prandaj, duke filluar që nga vitet ‘90, të shekullit që kaloi, pra pas përmbysjes së madhe në botën shqiptare, përkatësisht, në prag të shpresës së madhe në horizont, në poezinë e Fatos Arapit, fillon zhgënjimi, në fillim i përmbajtur, i përballueshëm dhe që, pas çdo vëllimi të ri, nis të shkallëzojë në një trishtim poetik nga më të fuqishmit në poezinë shqipe të shekullit XX. Përmes një ekspresioni të ngjeshur, të tendosur emocionalisht, në poezinë e kësaj shtylle, F.Arapi skicon të fokusuara pamje të përditshme, të metaforizuara që shpalosen si trishtim i shpirtit dhe mendjes të artikuluar, si art poetik i përsosur. Vija e të menduarit emocional dhe përfytyrimeve refleksive emocionale, intonimi dhe ngjyrimi i këtyre reflekseve dhe i ndjeshmërisë, te poezia e tij është e pastër, e identifikueshme si prejardhje, si natyrë dhe si individualitet në poezinë shqipe”, vijon Aliu.

 

Gjeniun Kadare e sjell me titullin “Kadare mund titanët e letërsisë”, libër që vjen pas cmimit të shumëkontestuar të sivjetëm, “Nobel” dhe triumfit të shkrimtarit të madh me dy vlerësime në Amerikë dhe Korenë e jugut. ”Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më të njohur të letërsisë evropiane dhe botërore. Në një gjysmë shekulli krijimtarie, ai realizoi një projekt letrar monumental që, në vetvete, përfshin më shumë se dyzetë vepra, të përkthyera, në mbi dyzetë gjuhë.

Ismail Kadaresë i atribuohet roli i një Homeri, i ardhur me misionin e lartë për punët e shqiptarëve… Në sfondin e një lëvizjeje dinamike, infrastruktura e universit të tij romanor, në rrethana përherë të ndryshme, nëpër interkontekste dhe intertekstualitete, rrezaton ide dhe përmbajtje të reja, situata dhe shpalime, po ashtu, të reja – frymë që, prore e thur, e formëson, e përsos projektin letrar madhor të Ismail Kadaresë… Gjeniu i jashtëzakonshëm letrar, do të arrijë që, përmes “daljes letrare”, t’i gjejë njëfarë shpjegimi izolimit atavist shqiptar dhe me veprën e vet, me romanet e veta, ta mposhtë (mbikalojë) realitetin e regjimit të kohës”, thotë ndër të tjera kritiku Ali Aliu..

 

“Kim Mehmeti dhe imagjinata kreative” e titullon librin mbi krijimtarinë e shkrimtarit Kim Mehmeti, për të cilin, midis të tjerash, shprehet:  ”Vepra letrare e Kim Mehmetit, ngjizet në ngasje që reflekton bota përreth tij, realiteti i përditshëm, njëkohësisht, ushqyer e përplotësuar nga bota tjetër, ajo e imagjinatës krijuese. Për përmasat e pranisë së tyre në veprën letrare të Kim Mehmetit, mund të konstatohet: ngasja si shtysë e realitetit konkret është tharmi embrional, ndërsa shtratin që përbën më tej rrjedhën narrative, kryesisht është prurje e imagjinatës. Kjo, në fakt, është shtyllë bartëse e rrëfimit tregimtar dhe romanor të tij, që fundja, është karakteristikë e natyrës të zhanreve letrare narrative përgjithësisht… Këto dy botë, sikur janë në një përballje, në një përplasje dhe sfidë të përhershme, sidomos në romanet e tij. Njëra, ajo përreth, duke përkufizuar kufijtë e realitetit konkret, përditshmërinë, njëkohësisht e nxit imagjinatën për atë tjetrën, botën ndryshe dhe të ndryshme, pjesërisht atë të ëndërruarën… Kjo, e imagjinuara, vjen për ta universalizuar, për ta bërë të kudo e kurdohershme, të mundshme atë, botën konkrete”.

 

Por, kritiku Ali Aliu nuk ka harruar të bashkojë brezat letrarë. Ai ka mbërritur tek autorë të viteve 2000. Në këtë kolanë, ka sjellë librin, “Majlinda Rama dhe universaliteti krijues i saj”, duke u fokusuar në vepren letrare të 15 viteve të autores në fjalë. ”Shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Rama mbetet, padyshim, zëri më përfaqësues në letrat shqipe të kësaj gjenerate, e cila dëshmon penë të mprehtë, talent dhe kulturë letrare e krijuese… Në harkun kohor të 15 viteve të fundit, M. Rama ka ecur sigurt drejt ndërtimit të profilit të saj në letërsi. E tillë dhe me pretendime, ajo ka bërë progres të shpejtë në zotërimin e diskursit romanor, në fushën e studimeve dhe kritikës, si dhe në poezi… Përmendim këtu, romanet “Perandorët” dhe “Zonja me të kuqe”, si romane me narracion të pastër realist, që autorja i sjell përmes rrëfenjave  nga më tronditëset, novelën  “Ikja”- një dialog me shkëlqim estetik farfuritës, novelën “Kthimi”- një polifoni e vërtetë, e përsosur dhe, sidomos, “Lulet e egra”, që, për mendimin tim, është një nga vëllimet poetike më të rëndësishme të botuara gjatë viteve të fundit në poezinë shqipe… Me këtë libër autorja bën një hap të rëndësishëm, të pritshëm, drejt majave të letërsisë shqipe… Por, ajo është krijuese që gjendet mirë dhe në studime dhe kritikë, ku, me monografitë mbi Agollin e Podrimen, apo autorë të tjerë shqiptarë dhe të huaj, shihet se Majlinda Rama është lexuesi më kreativ i tekstit letrar dhe sjellë një qasje të sajën, të veçantë dhe të suksesshme edhe në fushën e studimeve letrare tek ne ”.

 

Dhe në fund e mbyll me një emër të madh të letrave, shkrimtarin Zija Çela. Në librin “Zija Çela dhe tërmetet narrative”, kritiku e ka fjalën për një shkrimtar të majave letrare. ”Veprimtaria krijuese e Zija Çelës ka tё pranishëm njё dimension të pashtershëm, bёrthamё të veçantë: të vërtetën se njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë bosh, në mjegull, pa vizion, pa vizionarë.

 

Duke lexuar veprat e Çelës e kupton se asnjë epokë nuk ka mbetur pa Homer, pa Dante dhe Shekspir, pa Da Vinç dhe Bethoven… Arti i Çelës i ndien dhe i parasheh të gjitha rrugët e mundshme të shpirtit e të mendjes. Qytetet e tij metaforike apo me emra realë, e sjellin botën shqiptare në pamje nga më të ndryshme dhe, siç ka vërejtur me të drejtë kritika, përbëjnë atdheun e tij shpirtëror… Pikërisht ky ngjyrim shpirtëror i letërsisë e bën krijimtarinё e Zija Çelës të jetë e veçantë, e dallueshme si për nga vlera artistike dhe ndjeshmëria krijuese, po ashtu pёr vizionin jetësor e filozofik. Të gjitha veprat e Zija Çelës shpalosin urtësinë se rrugët, ku ecën krijuesi, çojnë drejt sё bukurёs, drejt përsosmërisë, që ёshtё cak, është peng i ëndrrave për majat e papushtuara”.

 

Shtëpia Botuese “Agora” që ka sjell këto botime cilësore, njofton në faqen e saj se librat janë hedhur në treg për lexuesin e gjerë, ndërsa njofton se kolana do të jetë edhe në Panairin e  Librit në Tiranë, nga datat 13 – 17 nëntor.

 

EM

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme