Akademikët si Mehmet Kraja më të mençur duken kur heshtin!

Shkruan: Xhevdet Pozhari

Sapo u ktheva nga një mbrëmje ku akademiku, shkrimtari dhe publicisti, Mehmet Kraja prezantonte pjesëza të krijimtarisë dhe jetëecjes së tij. Qëmoti kam braktisur pjesëmarrjen në aktivitete ku asessi nuk e gjej lartësinë e nivelit të salloneve ku secili mrekullohet me mendimin e tjetrit! Ku të gjithë janë të vet knaqur dhe të buzëqeshur. Mirëpo, nuk mund të mos isha i pranishëm në një mbrëmje që e organizonin dy gra që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë për librin shqip, Alda Bardhyli dhe Beti Njuma.

Në atë ambient të mbyllur, larg vëmendjes së mediave, më shumë familjar sesa publik, thuajse unë isha e vetmja “dele e zezë” që duhej të dëgjonte me vëmendje persiatjet e një akademiku.

Dorën në zemër, nga Mehmet Kraja mund të mësosh shumë, edhe në shkrimin më të dobët – më së paku drejtshkrimin. Por, kur vjen puna te guximi intelektual, atëherë të kristalizohet heshtja mortore e tyre!

Atmosferën depresive e trazoi pyetja e gazetares që e moderonte takimin, lidhur me cilësinë e shkrimeve në Kosovë që në të shumtën e rasteve, sipas saj ishin mediokre dhe provinciale që mbesin të kurthuara brenda ambientit ku “gatuhen”. “Jo… jo… jo, ne kemi shkrimtarë të përmasave të Orhan Pamukut”, u përgjigj me hidhërim të theksuar Kraja. “Veç unë njoh 4-5 të tillë, të cilëve s’dua t’ua përmendi emrat!”, vazhdoi gënjeshtra e tij që përpiqej të mbulonte të vërtetën se autori më i shitur në Kosovë vazhdon të mbetet një mediokër si Albatros Rexha.

– Po akademitë pse janë kaq të heshtura karshi zhvillimeve të përgjitshme dhe orientimit që duhet ta ketë Kosova, ishte pyetja tjetër që Krajën, i cili deri pak çaste më parë kritikonte moshapjen e tregut të librave, e vuri në situatë që ta mbulonte të vërtetën se Qeveria e Kosovaës deri para pak kohe udhëhiqej nga një akademik, ndërsa vetë akademia udhëhiqet nga një ish politikan, Nexhat Daci. Dhe asnjëri prej tyre nuk u kujtua ta heq së paku taksën për librat shqip! Për më tepër, as vetë Kraja nuk e kërkoi një gjë të tillë. Për akademikun më me rëndësi ishte të diskutohej për ekstemizmin fetar, kahjet e Perëndimit dhe Lindjes, debate që sipas tij, Shqipëria i ka tejkaluar që moti, në vitet e 30’ta. Me pak fjalë, të pranishmit dëgjuam se gjithçka e keqe na vjen nga lindja, anipse Kosova udhëhiqet nga politikanë që e kanë gojën plot “perëndim”…

Dhe erdhi edhe momenti për të folur edhe për korrigjimin e kufijve. Këto tema që sipas Krajës po imponoheshin panevojshëm për konsum ditor. Dhe sipas tij, anipse këto tema gojarisht i hapë Hashim Thaçi, ideator i tyre është Edi Rama! “Pse na përzihet Shqipëria, pse e tollovitë punën kur s’ka takat…”, tha akademiku i nderuar, i cili me një dozë hidhërimi e mbylli këtë takim që më shumë do të duhej të ishte “një mastrubim i tij publik” ku ai do të vazhdonte të notonte i lumtur brenda ambientit të tij të mbyllur, siç funkcionote dikur në komunizëm ku partia i caktonte vlerat dhe anti-vlerat, ndërsa sot pushteti shkon edhe më tej, i emëron edhe kryetarin e akademisë, edhe drejtorin e shkollës, edhe komandantin e policisë… edhe pastruesin… Por, akademiku nuk tha asnjë fjalë. Zgjodhi të heshtte. E, shikuar hollë e hollë, më të mençur e bënte heshtja e tij!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme