Aktakuzë dyshes së “Shotës” për kontrata që aplikohen tash e 20 vjet

Drejtori i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, do të përballet me Prokurorinë e Shtetit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Për Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Gjocaj në dy raste ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke kryer vepra penale. Angazhimi i koreografit, Xhemajli Berisha, për të realizuar një shfaqje dhe nënshkrimi i kontratës së punës për këngëtarin Ismet Bogujevci, i cili deri në pensionim ishte punonjës i rregullt i “Shotës”, sipas Prokurorisë, dalin të jenë shkeljet e Gjocajt.

Bashkë me Gjocajn, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar akuzohet edhe koreopetitori Nazmi Demaj. Angazhimi i koreografit Xhemajli Berisha gjatë periudhës sa Demaj ishte ushtrues detyre i drejtorit të “Shotës”, ka bërë që Prokuroria Themelore në Prishtinë ta përfshijë edhe atë në aktakuzë. Demaj ishte ushtrues detyre i drejtorit të “Shotës” prej janarit deri në korrik të vitit 2018, periudhë përgjatë së cilës kishte nënshkruar kontratë me Berishën për shfaqjen “Lulet e marsit”. Në të njëjtën formë, e për të cilën akuzohet, më 2015 kontratë kishte nënshkruar me po këtë koreograf edhe Gjocaj, për koreografi të “Valles së Podgurit”.

Që të dy akuzohen për veprime të cilat janë në natyrën e “Shotës” tash e 20 vjet, e edhe në natyrën e punës së institucioneve të tjera qendrore të kulturës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.11.2019, ka ngritur aktakuzë kundër personave me inicialet Sh.Gj., dhe N.D., zyrtarë të ansamblit të këngëve dhe valleve ‘Shota’, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’” nga neni 422 paragrafi 2, nën paragrafi 2.1 dhe 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Laureta Ukaj, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Gjocaj e Demaj do të përballen me Prokurorinë në ditën e 24-t të këtij muaji.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme