Aktakuzë kundër Sokol Bashotës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka lajmëruar nëpërmjet një komunikate se ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve për një rast të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të hyrave/të ardhurave, dhuratave, dobive të tjera materiale ose detyrimeve financiare.

Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për kryetarin e Klinës, Sokol Bashota dhe zëvendësi i Bashotës, nënkryetari i komunës, Enver Berisha. Tjetri zyrtar ndaj të cilit është ngritur aktakuzë është edhe drejtori i Adminsitratës në komunën e Klinës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzën, pranë Gjykatës Themelore në Pejë për rastin “Klina”.

“Katër të pandehur akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje kjo nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje sipas nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Përveç kësaj, dy nga të pandehurit akuzohen edhe për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të hyrave/të ardhurave, dhuratave, dobive materiale të tjera ose detyrimeve financiare, shkelje kjo nga neni 437 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas hetimeve të ndërlikuara të kryera nga Policia e Kosovës./Gazeta Blic.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë