Aktakuzë ndaj shefes së prokurorimit në Prokurori

Flora Doda, shefe e prokurimit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nuk kishte deklaruar pasurinë e saj si kolegët e tjerë, andaj ndaj saj, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), në tetor të vitit 2018 ka ngritur kallëzim penal.
Ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër Dodës mirëpo nuk ka marr veprimet për ta suspenduar atë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale, shkruan Gazeta Insajderi.

Laureta Ulaj, Zyrtare për Informim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka treguar për Insajderin se prokuroria kishte pranuar kallëzimin penal nga AKK ndaj Dodës, më 23.08.2018.

“Lidhur me çështjen penale ndaj F.D., ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23.08.2018, ka pranuar kallëzim penal nga Agjencioni Kundër Korrupsion, ndaj F.B., më dyshimin se ka kryer vepër penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 I KPRK-së”, ka thënë për Insajderin Laureta Ulaj, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ulaj ka thënë se ndaj Dodës, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë, mirëpo nuk ka treguar nëse është suspenduar ose do të suspendohet Doda për mos deklarim të pasurisë.

“Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë çështje penale, prandaj, më 11.12.2018, ka ngritur Aktakuzë kundër të pandehurës, F.D., për kryerjen e veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 I KPRK-së, si dhe është dërguar në Gjykatë për procedim të mëtejshëm”, ka thënë Ulaj.

Ndërsa nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë thënë për Insajderin se “Në bazë të Ligjit nr. 03/L-159 për AKK, Prokuroria e informon Agjencinë për procedimin e mëtejmë dhe vendimin final në lidhje me rastin”.

AKK është shprehur se “informacionet e tjera mund të dëmtojë procesin e hetimeve”.

Lini Një Koment