Aktori i mirënjohur serb: S’do hidhërohesha nëse Serbia e njeh Kosovën

Aktori i mirënjohur serb, Predrag Miki Manojlloviq, ka deklaruar për Deutsche Welle në gjuhën serbe se nuk do të hidhërohej nëse Serbia do ta njihte Kosovën.

“Unë nuk do të hidhërohesha nëse Serbia e njeh Kosovën. Mendoj se me të gjitha gabimet që janë bërë në 110 vjetët e fundit nga ana serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas, me të gjitha dobësitë e shqiptarëve e serbëve, politika e dhunës asnjëherë nuk sjell askund. Kjo edhe u dëshmua. Kjo që po ndodhë sot nuk ka fund. Është një tregim i pafund”, ka thënë Manojlloviq, transmeton Koha.net.

Ai thotë se duhet gjetur ndonjë zgjidhje për këtë çështje, ndonëse thekson se një e tillë nuk është në horizont aktualisht.

“Është vështirë. Nuk guxojmë të harrojmë se shteti serb është themeluar atje. Ne paguajmë edhe sot kur në luftërat ballkanike ushtria serbe shkoi deri në Durrës dhe atje kreu krime, e më pas sulmet shqiptare ndaj ushtrisë serbe në përfundim të Luftës së Parë Botërore, etj., etj. Dhe them se këtu e kemi problemin e pulës dhe vezës. Më pas dhuna e Rankoviqit. Asgjë nuk zgjidhet me dhunë. Dhe për këtë arsye kemi ardhur këtu ku jemi”, tha ai.

Manojlloviq tha se aktorët dhe artistët në përgjithësi janë të përfshirë në politikë, ndërsa kritikon opozitën duke thënë se nuk kanë program dhe se protesta e tyre është e kotë.

Kujtojmë se aktori Manojlloviq, më 2015 kishte qenë në Prishtinë në kuadër të shfaqjes së përbashkët serbo-shqiptare “Romeo dhe Xhuljeta”, nga Uilliam Shekspiri, që për regjisor kishte pikërisht Mikin, shfaqje kjo e prodhuar nga “Radionica Integracija” (Beograd) dhe “Qendra Multimedia” (Prishtinë).

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme