Allegri beson te Dybala: Një ditë do të bëhet si Messi, do të fitojë Topin e Artë

Trajneri i Juventusit Massimiliano Allegri beson se Paulo Dybala e ka potencialin për të fituar Topin e Artë, pavarësisht kritikave të fundit kundrejt sulmuesit.

Argjentinasi ishte shënuesi më i mirë i bardhezinjve në kampionatin e kaluar, me 19 gola në 34 ndeshje në Serie A.

Në kampionatin e tanishëm ka pasur probleme me formën dhe dëmtimet, ndërkohë që shkaktoi shumë polemika në ndeshjen me Sassuolon, kur refuzoi t’i jepte dorën Allegrit pas zëvendësimit.

Trajneri i Argjentinës i ka cilësuar si të dëmshëm krahasimet me Leo Messin, por Allegri beson se lojtari i tij mund të arrijë në lartësinë e yllit të Barcelonës një ditë.

“Meqënëse është viti i dytë te Juventus, njerëzit presin më shumë mprej tij. Kjo është barra që duhet të mbajnë lojtarët e mëdhenj. Ai e ka cilësinë për të fituar Topin e Artë në të ardhmen”, tha trajneri i Juventusit në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Interit.