Alli nuk sheh ndikim të madh të Rusisë mbi Kosovën

Presidenti i Asamblesë së NATO’s, Paolo Alli, ka thënë se nuk vëren ndikim të madh të Rusisë mbi Kosovën, pasi që kjo e fundit duket e vendosur në rrugën e saj drejt Perëndimit.

Megjithatë, sipas tij, mirëqenia e popullit dhe lidershipi i fortë politik do ta zvogëlonte mundësinë e ndikimit të jashtëm në Kosovë.

“Mendoj që në politikë boshllëqet gjithmonë duhet të mbushen me diçka. Nëse ne [NATO] largohemi, ata [rusët] do të hyjnë”, ka thënë Alli në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Dhe rusët kanë treguar se janë shumë të mirë në okupimin e këtyre hapësirave boshe, qoftë në Siri apo vende të tjera”.

“Kemi parë ndikim shumë të madh të federatës ruse mbi Serbinë; më pak ka ndikim në shtetet tjera”.

“Nuk shoh se ka shumë ndikim mbi Kosovën, sepse Kosova duket të jetë shumë e vendosur në përcaktimin e saj drejt komunitetit perëndimor”.

“Sa më i fortë që të jetë vendi, aq më i ulët do të jetë rreziku nga ndërhyrjet e vendeve të huaja”.

Alli mendon se për dallim nga Kosova, janë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor që janë më të ekspozuara nga ndërhyrjet dhe interferencat e jashtme, duke përmendur Bosnjën dhe Hercegovinën si shembull.

“Në fund të fundit, zgjidhja për të gjitha këto probleme do të ishte një udhëheqësi e fortë, një lidership i fortë politik që do ta fuqizonte ekonominë e shtetit, mirëqenien e popullit të tyre, dhe e gjithë kjo do të ndikonte në mënyrë automatike uljen e ndikimeve të faktorëve të jashtëm si Rusia”.

Lini Një Koment