Ambasada Amerikane deklarohet për takimin Thaçi-Putin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, por kërkon që të ketë një konsensus nacional për të arritur përparim.

Ambasada Amerikane në Kosovë, ka komentuar në një farë forme takimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me atë rus Vladimir Putin, ditë më parë në Paris, duke thënë se Kosova, si shtet, ka nevojë që udhëheqësit e vet të kenë frymë bashkëpunimi me të tjerët.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dialogun si mjet për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e që është thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Udhëheqësia politike, pa marrë parasysh partinë, duhet të gjejë bazë të përbashkët lidhur me synimet e Kosovës dhe të ndjekë një rrugë përpara, e cila pasqyron interesat e gjithë njerëzve të saj”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për KosovaPress.

Tutje, ata thonë se ‘Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme dhe urgjente që udhëheqësit e saj të kenë këtë frymë të bashkëpunimit për të arritur përparim’.

Disa deputetë nga partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar këtë takim mes Thaçit e Putinit, përderisa pushteti ka thënë se është detyrë e krerëve të shtetit të zhvillojnë sa më shumë takime të tilla me liderë të huaj.

Vetëvendosja ka thënë se duhet të mblidhen në Kuvend e mbi të gjitha të diskutojnë për takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus, që për Lëvizjen përbën skandal.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është shqetësues që presidenti Thaçi po zëvendëson aleatët, si Gjermania, me Rusinë.

Por, Arben Gashi i LDK-së, thotë se takimi Thaçi-Putin është në kuadër të detyrave kushtetuese të presidentit që të mbajë takime me përfaqësues të jashtëm, por nëse është diskutuar çështja e territorit, është shkelje.

E zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili vjen nga radhët e PDK-së, ka thënë se ky takim është një ngjarje pozitive dhe njohje e realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Rusisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme