Ambasadori amerikan paralajmëron politikanët: Pasoja për ata që nuk e votojnë reformën

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu ka mbajtur fjalim në protestën e shoqërisë civile për reformën, në të cilin tha se disa nga politikanët nuk e duan marrëveshjen.

Në fjalimin e tij, Lu ka thënë se dy javë më parë Basha dhe Bylykbashi kanë kërkuar ta zgjidhnin paragrafin 88, që ata ta votonin reformën, por thotë se një gjë e tillë nuk u mjaftoi.

“Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionarëve. Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre. Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur”, tha Lu, raporton KP.

Lu ka thënë se do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme.

“Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata. Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyetja është nëse do të kenë kurajën të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike”, tha Lu.

Në fund të fjalimit, ai edhe njëherë u ka bërë thirrje për miratimin e reformës.

Lini Një Koment

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë