Ambasadori gjerman: Tri gjëra që do t’i ndryshoja me shkopin magjik në Kosovë

Christian Heldt ka disa muaj që është në krye të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, por assesi nuk po mund të mësohet me ajrin e ndotur të Prishtinës. Gjatë një interviste për numrin festiv të gazetës “Zëri” diplomati gjerman shprehet se po ta kishte shkopin e famshëm magjik tri gjëra do t’i ndryshonte në Kosovë: “Që shqiptarët e serbët, sikurse edhe bashkësitë tjera, t’i qaseshin njëri-tjetrit në mënyrë më aktive dhe të arrihet paqe me Serbinë, t’i zhdukë mbeturinat gjithandej dhe të ketë një qasje më miqësore ndaj natyrës e që gjenerata e re të udhëtojë shpejt e pa kufizime në Evropë”, shkruan gazeta “Zëri”.

S’po mund të mësohem me ajrin e ndotur

Ka kaluar një kohë prejse jeni duke jetuar në Prishtinë. A jeni ambientuar me ajrin e ndotur dhe si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?

Heldt: Nuk po mund të mësohem me ajrin e ndotur. Ndonjëherë pyes veten, çfarë është gjithë ajo që digjet dhe këtu lind një dilemë: nëse është dru – kjo çon në prerje më të shumta ilegale të pyjeve dhe në vitin 2030 në Kosovë nuk do të ketë më sipërfaqe të mbyllura të pyjeve. Thëngjilli, ky lëshon erë të keqe, megjithatë njerëzve u duhet të ngrohen me diçka. Unë do të dëshiroja që me prioritet të zhvillohej fusha e energjisë rigjeneruese, sepse aty ka një potencial të jashtëzakonshëm që nuk është shfrytëzuar

Prizreni, vendi i preferuar për fundjavë

Në cilin vend të Kosovës ju pëlqen t’i kaloni fundjavat?

Heldt: Agjenda ime e takimeve për fat të keq më kufizon shumë, ashtu që shpeshherë gëzohem thjesht nëse kam kohë për vete që ta kaloj atë brenda katër mureve. Madje Parku i Gërmisë nuk është aq larg. Rajoni tejet i bukur mbi Prizren në drejtim të Shtërpcës më pëlqen shumë dhe më gëzon fakti që atje nuk ka aq shumë mbeturina të egra gjithandej, që përndryshe edhe mund të na i prishin shëtitjet e bukura.

A konsumoni prodhime kosovare dhe a kemi produkte të cilat i plotësojnë standardet për tregun evropian?

Heldt: Jo vetëm i përmbushin, por edhe i tejkalojnë ato. Një shembull shumë i mirë për mua janë lëngjet e frutave të brendit “Frutomania”, të cilat vetë i kam provuar pothuajse të gjitha. Jashtëzakonisht të mira!

E brengos çështja e arsimit

Kosova ka një nivel të ulët të arsimit. A edukohen fëmijët tuaj në këtë sistem arsimor?

Heldt: Ju faleminderit për komplimentin, por nuk jam më edhe aq i ri. Fëmijët tanë ka kohë që e kanë mbaruar shkollën. Megjithatë çështja e arsimit më brengos: Kosova ka një histori të veçantë të angazhimit për arsimin nga vitet ’90-a. Për më tepër, depolitizimi dhe profesionalizimi do t’i bënte mirë sistemit arsimor. Megjithatë ka shkolla, të cilat dëshmojnë se çfarë suksesi janë në gjendje të arrijnë fëmijët kosovarë.

A e shfrytëzoni transportin publik të Kosovës dhe a ju bezdis trafiku i ngarkuar?

Heldt: Këtu më duhet të them se gjatë ditës unë kam mundësi të udhëtoj vetëm me shoferë, sepse nuk do të mundja të arrija me kohë në takime. Përndryshe unë eci me qejf dhe çdo lëvizje më bën mirë. Ndonjëherë duke marrë parasysh komunikacionin e dendur do të doja që njerëzit të ecnin më shumë, gjegjësisht që infrastruktura e trafikut të zgjerohej më shumë dhe të përshtatej. Prishtina thjesht nuk ka qenë e planifikuar të jetë një kryeqytet që rritet me kaq shpejtësi. Kjo vërehet tani gjithkund dhe unë e admiroj menaxhmentin e Komunës se si po përpiqet të rregullojë dhe të përshtatë gjithçka.

A dëgjoni muzikë të këngëtarëve kosovarë dhe kë do ta veçoje?

Heldt: Një mangësi e madhe e imja: nuk kam kohë të mësoj shqipen. Megjithatë hulumtoj rregullisht në internet dhe e vlerësoj posaçërisht një këngëtare gjermano-kosovare: Fatime Kosumi alias Andrra. Interpretimi i ri i melodive tradicionale, si dhe këngët janë mbresëlënëse, por edhe fakti se si Andrra i bart kulturat muzikore në mes të Gjermanisë dhe atdheut, të paraardhësve të saj. Kushdo që është në Berlin dhe ia del të shkojë deri te Berghain-Kantine, aty ka çfarë të shohë. Veç kësaj, ajo edhe rrezaton energji kreative.

Kombëtarja e Kosovës s’ka nevojë për flamuj tjerë

A e keni përcjellë ndonjë ndeshje të Përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe si e vlerësoni performancën e saj të deritanishme?

Heldt: Po, natyrisht! Që me lojën e parë në stadiumin e ri “Fadil Vokrri” kundër ekipit nga Ishujt Faroe dhe mandej kundër Maltës. Kam qenë shumë i entuziazmuar dhe mendoj se do të arrijnë larg. Kush e di nëse edhe do të takohen dy ekipet tona gjatë Kampionatit Evropian 2020, por kjo do të jetë tejet interesante. Veç kësaj lojtarët nga Kosova nuk janë të panjohur brenda Bundesligës. Ajo që më ka gëzuar dhe më ka pëlqyer më së shumti ka qenë atmosfera në stadium: entuziazëm me flamuj kosovarë, sepse është kombëtarja kosovare ajo që duket se po e nxit identitetin. Për këtë gjë mund të krenohet i tërë vendi dhe nuk ka nevojë për flamuj të tjerë.

Çka ka të përbashkët Kosova me vendin tuaj?

Heldt: Një histori vërtet të përbashkët që nga viti 1999, i cili pothuajse mund të quhej komunitet i fatit. Do të përmendja edhe ruajtjen e lidhjeve me atdheun, me bukën e mirë, me birrën e mirë, me kreativitetin, me vullnetin për zhvillim për të mos harruar në fund edhe gjithë njerëzit, të cilët shërbejnë si ura lidhëse mes dy vendeve tona, sepse pjesa më e madhe e diasporës kosovare jeton akoma në Gjermani.

Po ta kishit mundësinë, cilat do të ishin tri gjërat që do t’i ndryshonit në Kosovë?

Heldt: Sikur të kisha shkopin e famshëm magjik do të ishin këto tri, nga shumë dëshira: që shqiptarët dhe serbët në Kosovë, sikurse edhe të gjitha bashkësitë e tjera, t’i qaseshin njëri-tjetrit në mënyrë më aktive dhe të arrijnë një paqe me Serbinë, që është e drejtë për të gjitha bashkësitë në Kosovë, e cila do t’u ofronte të gjithë qytetarëve këtu një siguri dhe një bazë për planifikim të së ardhmes. Zhdukjen e mbeturinave gjithandej dhe një qasje më miqësore ndaj natyrës unike që ka ky vend. Që gjenerata e re dhe e talentuar e këtij shteti të mundë të udhëtojë shumë shpejt pa kufizime dhe të ketë mundësi ta njohë Evropën, së cilës ajo i takon.

Lini Një Koment