Amerikanët dhe Gjermanët e përkrahin debatin, jo Arbitrazhin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) dhe Gjermania nuk e përkrahin idenë e dërgimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në Arbitrazh ndërkombëtarë, por ata e mbështesin dialogun mes subjekteve politike parlamentare për këtë çështje.

Ata thonë se tryeza që do të mbahet sot në Kuvend për demarkacionin është shpresëdhënëse drejt një zgjidhje të kësaj dileme sa më shpejtë të jetë e mundur.

J. Michelle Schohn, zëdhënëse e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, ka thënë për gazetën ‘Zëri’ se e mbështesin dialogun për këtë çështje, që, sipas tyre, do t’i mundësoj Kosovës të vazhdoj tutje për vendimin për demarkacionin.

’Ne shpresojmë se kjo tryezë e rrumbullakët është shpresëdhënëse që do të jetë veprim i dobishëm, drejt një zgjidhje të kësaj dileme sa më shpejt që të jetë e mundur’, ka deklaruar Schohn për gazetën, duke shtuar që Kosova duhet të jetë në gjendje që çështjet nacionale t’i zgjidhë përmes dialogut profesional dhe paqësor.

Zyrtarët e Ambasadës Amerikane pranojnë se mungesa e progresit për këtë çështje do ta mbaj larg Kosovën nga integrimet evropiane. ‘Poashtu është me rëndësi të theksohet se Mali i Zi është një shtet mik dhe mbështetës për Kosovën. Prandaj, shpresojmë se kjo tryezë do ta mundësoj progresin për këtë çështje shumë shpejtë’, ka deklaruar Schohn.

Ambasada amerikane ka përsëritur se ka pozicion të qartë për çështjen e demarkacionit. ‘Departmaneti Amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar kufirin në dhjetor 2015 dhe një komision ndërkombëtar e ka vlerësuar në shkurt dhe mars të këtij viti. Rezultati i këtyre rishqyrtimeve është i njejtë me kufirin që e ka përcaktuar komisioni qeveritar, përkatësisht është identik me kufirin që ka egzistuar midis Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974.Ky është kufiri në bazë të cilit Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është kufiri në flamurin e shtetit. Dhe si rezultat nuk shohim ndonjë arsye për Arbitrazh ndërkombëtar’, ka deklaruar zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-ve për ‘Zërin’.

Ndërsa ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, i ka deklaruar gazetës ‘Zëri’ se është mbështetëse e debatit që do të zhvillohet sot për demarkacionin, ku, sipas saj, ekspertët do të mund t’i paraqesin faktet e tyre, mbi bazën e së cilave dhe koshiencës së tyre do të mund të vendosin deputetët.

Ajo ka shtuar se zgjidhja e problemeve të Kosovës është përgjegjësi e kosovarëve, prandaj e kishin mbështetur iniciativën e ish-presidentes Atifete Jahjaga e cila kishte ftuar një panel të ekspertëve ndërkombëtar për të dhënën një opinion për këtë çështje, të cilën edhe e kanë bërë.

Ambasadorja gjermane Viets ka pranuar se ka shumë raste gjithandej botës dhe në rajon ku dy vende kur s’kanë mundur të pajtohen për kufijt e tyre, me ç’rast iu kanë referuar Arbitrazhit ndërkombëtar për zgjidhje. Por, sipas saj, rasti i Kosovës është ndryshe, sepse, siç thotë ajo, ekziston një marrëveshje ndërkombëtare, mes dy qeverive të zgjedhura, të ratifikuar nga njëri shtet, si dhe nga tjetri që pritet ta ratifikoj. /ZERI/

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë