ANALIZA/ “Pse Sander Lleshaj do ishte i keq edhe si mysliman. Nuk gaboi vetëm Gjekmarkaj, por edhe Ismail Kadare që e propozoi për…”

Nga Agim Baçi

 

E lexova më vëmendje zhgënjimin e z.Gjekmarkaj për mikun e tij, ministrin aktual të brendshëm, z. Lleshaj.

Së pari dua të përgëzoj vërtet Agronin që guxon për të thënë disa të vërteta për një njeri që e ka konsideruar mik dhe që ka besuar te bashkëndarja e vlerave me të, sidomos vlera që janë më të mëdha se dy njerëz, siç është besimi.

Por ndoshta pikërisht këtu gaboi Gjerkmarkaj që në fillim të emërimit të Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme, teksa e konsideroi si një vlerësim për kontributet e mohuara të katolikëve në historinë e Shqipërisë.

Unë besoj se katolikët e Shqipërisë nuk kanë nevojë për një vlerësim të tillë nga politika, pasi shumë prej atyre burrave që kanë dhënë kontribut në shtetforimin apo në përballjen me të keqen në diktaturë, e kanë marrë nga historia dhe dashuria e shqiptarëve. Dhe ka jo pak nga ata që i kanë shërbyer me ndershmëri dhe mençuri këtij vendi. Unë do doja që në fillim, kur u emërua, që Agroni ta mbështeste mikun e tij, edhe pse kaluar në një krah tjetër politik nga ai i tiji, duke besuar në ndershmërinë e tij, në aftësinë e tij për të kuptuar se si një burrështetas duhet të pranojë një detyrë për t’i shërbyer vendit, për t’i shërbyer bashkëqytetarëve të tij dhe për të drejtuar një polici që mbron qytetarët nga dhuna, nga krimi, madje për t’i mbrojtur edhe nga qeveria, e jo të drejtojë një polici që i kundërvihet qytetarëve të vet.

Por nuk është vetëm Agroni që dyshon sot se gaboi teksa i besoi idesë se të mirë në atë detyrë Lleshajn mund ta bënte thjesht fakti i të qenit katolik. Edhe Ismail Kadare e pati propozuar dikur për President zotin Lleshaj, ndoshta duke besuar edhe ai si Agroni, në të tilla vlera tek ai. Edhe shumë miq të tjerë katolikë të z. Lleshaj, e patën mbështetur në mënyrë publike emërimin e tij, pavarësisht se ishin në një barrikadë tjetër politike me të. Ndoshta këtu gabuan të gjithë ata që nxituan ta shihnin si vlerësim për një komunitet të nderuar.

Personalisht besoj se, pavarësisht rëndësisë që ka dhe mund të ketë edhe respektimi i këtyre ekuilibrave fetarë në raportet e përbërjes së një kabineti qeveritar, ajo që duhet të ishte më e rëndësishme, do të ishte përzgjedhja dhe mbështetja e atyre njerëzve që e duan këtë vend dhe që besojnë se, të drejtosh do të thotë të shërbesh, që të jesh i drejtë dhe i ndershëm, dhe jo të ndjehesh i privilegjuar dhe të dhunosh në emër të qëllimit për pushtet.

Mund të jenë në qeverinë shqiptare edhe 20 katolikë njëherësh, edhe 20 myslimanë, mund të jenë 20 orthodoksë, apo edhe laikë. Tek të gjithë do të gabonim nëse do të shihnim mbështetjen e hapur për shkak të përkatësisë fetare, por pa parë se sa i zoti është të praktikojë këto parime në politikbërje. Ndaj, ashtu si gaboi edhe kur përshëndeti emërimin, ashtu Gjermarkaj po gabon sërish sot teksa i numëron shkeljet aty, në atë detyrë, si të kish shkuar si një i krishterë. Jo, Sandri nuk po bën gabimin aty si një besimtar i krishterë dhe as nuk mund t’ia ulë vlerat krishtërimit nëse ka gabuar apo nëse gabon sërish. Ai është Sandri, ministri, që beson në ato veprime, sepse ndoshta beson se urdhrat për të janë të vetmet gjëra të rëndësishme, ndaj dhe do të ishte po kaq mëkatar edhe si “Sandër mysliman”.

Unë e mirëkuptoj vështirësinë e Agronit kur i përmend miqësinë dhe të ngrënit bukë në shtëpinë e njëri-tjetrit. Nuk është aspak e lehtë të nxjerrësh fjalë të tilla për një mik në publik. Por Agroni ka zgjedhur që të japë një mesazh si një njeri i qytetit, si një intelektual. Pikërisht për këtë ai duhet ta shohë Shqipërinë bashkë, duke gjykuar ashpërsisht “sandër të krishterë” apo “sandër mysliman”, pasi gjithkush që qeveris apo bëhet pjesë e qeverisjes, duhet të jetë i ndershëm në punën e tij, e jo të tregojë zell në përpjekjen për të treguar se çfarë është gati të bëjë për të mbajtur një post. Të gjithë e dimë që nuk është e lehtë kjo që kërkon Agroni dhe që kërkojmë të gjithë për ta parë këtë vend si një vend ku njerëzit të besojnë se e drejta mund të jetë pjesë e normales.

Ne duhet të besojmë se mbështetja tek e Shenjta ka më shumë mundësi të na bëjë më të mirë, më të ndershëm, më të guximshëm përballë eprorëve për t’i kundërshtuar nëse fyhet apo dhunohet populli yt, apo nëse e drejta bëhet e vështirë për t’u aplikuar. Por ne, me shumë gjasa, do gabonim nëse do t’i shihnim me veladonin e besimeve e jo me atë të shtetarit, për shkak se besimi është gjithnjë më i madh se kushdo që hyn apo del nga ajo grigjë dhe që nuk mund të dëmtohet e aq më pak të zhbëhet nga dikush që e ka keqpërdorur atë veldaon. Lleshaj nuk i ka prishur asnjë imazh katolikëve dhe unë besoj se dikush e ngatërron vlerën e krishterë me gabimet që mund të bëjë ai si Ministër i Brendshëm. Madje, as nuk dua të dyshoj se ai do të kërkonte rrahjen e një myslimani, bektashiu apo laiku më shumë se një të krishteri.

Një sjellje e tillë do ta bënte të keq Lleshaj edhe po të ishte mysliman. Dhe sërish askush nuk do të duhej të barazonte sjelljen e tij me fenë të cilit i përket. Zelli i Lleshajt është zelli i një njeriu që, ndoshta, më pak se çdo gjë tjetër, të ketë përdorur në përditshmërinë e tij parimet fetare. Këtu ndoshta Gjekmarkaj ka trishtimin me një mik që ka besuar se nuk do arrijë të shmangë vlerat e besimit të tij në ushtrimin e thellë të detyrës, dhe ne kemi nevojë t’i mbështesin ata që, mundohen që vlerat e rëndësishme fetare t’i praktikojnë në ndershmërinë e tyre intelektuale dhe të pushtetit./ Panorama.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme