Aq u shtua numri i aktivistëve shqiptarë në VMRO’DPMNE e LSDM, sa ato nuk kanë më nevojë për kryetarin e BDI’së!

 

Nga Kim Mehmeti

Jo me inat, e as me urrejtje, por me dashamirësi të sinqertë, mbrojtësve mediatik të kryetarit të BDI’së po ua them se mënyra si e mbrojnë nga unë, vetëm e dëshmon atë që e them vite me radhë: se nga kryetar i partisë së shqiptarëve të bashkuar, ai vetë përfundoi si aktivisti më i rëndësishëm i VMRO’DPMNE-së dhe LSDM-së, ndërsa BDI’ja që ai drejton, si degë me e vlefshme e partive maqedonase.

Dhe ata më thonë se dikur e paskam lëvduar kryetarin e BDI-së: pse mos u dashka që gjatë konfliktit të 2001 ta lëvdoja ministrin e atëhershëm të policisë maqedonase, i cili hapur e tregonte etjen e vet për gjak shqiptarësh dhe i cili, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, u vëllazërua me kryetarin e BDI’së dhe doli në përkrahje të kandidateve për kryetarë komunash të kësaj partie !?

Andaj, jo vetëm atëherë, por edhe sot e kësaj dite, me vogëlsinë time, askujt nuk ia lejoj ta njollosë emblemën e shenjtë të UÇK’së, të cilën emblemë kryetari i BDI’së e konsideron si pronë të veten dhe ia dha partisë që drejton, me çka shkeli mbi idealin e të rinjve, të cilët, njësoj si unë, i besuan se u shërbente shqiptarëve e jo partive maqedonase.

Mbrojtësit e kryetarit to BDI’së m’i rikujtojnë privilegjet dhe të mirat që m’i paska ofruar kjo parti, me çka sërish e mbështesin atë që e them publikisht: të punësuarit nëpër institucionet shtetërore, kryetari i kësaj partie, i konsideron si rrogëtarë në stanin e tij të dhenve në Zajas , e të cilët nuk paguhen nga taksat e shqiptarëve, por nga xhepi i tij!?

Por sidoqoftë, kushdo që ia do të mirën BDI’së dhe shqiptarëve të Maqedonisë, duhet që kryetarin e kësaj partie ta këshillojë që asnjëherë të mos merret publikisht me bashkimin e opozitës shqiptare, sepse kështu e përbuzë inteligjencën tone kolektive dhe donë të thotë se askush nuk e ka kuptuar se ai e propozon bashkimin tonë politik pasi paraprakisht të ketë gjetur ‘veselat’ e tij ‘opozitar’, që do na përçajnë e copëtojnë, e që pastaj ai të shprehë keqardhjen e vet.

Andaj pra, ai që ia do të mirën kryetarit të BDI’së, duhet t’ia thotë hapur të vërtetën se angazhimi i tij për bashkimin e partive opozitare shkakton të vjella te secili shqiptar që ka mend në kokë. Dhe i çon ata të pyesin veten: vallë ky njeri ka harruar se të gjithëve na kishte të bashkuar rreth partisë së tij dhe se ashtu të bashkuar na dorëzoi te VMRO’DPMNE-ja!?

Po pra, secili që ia do të mirën BDI’së duhet t’ia thotë kryetarit të saj hapur të vërtetën se është analfabet politik, se duhet të tërhiqet një ditë e më parë, posaçërisht tani kur e hapi rrugën që shqiptarët, jo turpshëm, por me mburrje, të bëhen aktivistë të partive maqedonase. Pra t’i tregojë se aq shumë është shtuar numri i aktivistëve shqiptarë në radhët e VMRO’DPMNE-së dhe LSDM-së, sa këto dy parti maqedonase nuk kanë më nevojë për kryetarin e BDI’së dhe për partinë e tij!

Por sidoqoftë duhet pranuar se mbrojtësit e ri të kryetarit të BDI’së janë më dinjitozë e më të njerëzishëm se ‘gazetari’ anonim me mjekër nga Kumanova, i cili aq shumë përfitoi duke shkruar tekste kundër meje, sa u bë edhe profesor. Andaj nuk është keq që studentët e tij ta pyesin se vallë mund të bëhesh gazetar i mire duke qenë qelbësirë që i ka thënë lamtumirë çdo gjëje që ka të bëjë me moralin dhe dinjitetin njerëzor!?

Kim Mehmeti

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme