Arsenali, në pritje të përgjigjes përfundimtare të Real Madridit për Ceballos

Arsenali është afër transferimit të Dani Ceballos nga Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar të verës, në formë huazimi për një sezon pa opsion për ta blerë në fund të sezonit.

“Topçinjtë” tani janë në pritje të përgjigjes përfundimtare të Real Madridit, pasi që veçse ia kanë bërë një ofertë zyrtare klubit madrilen, transmeton Gazeta Express.

Ceballosit, i cili më herët e kishte shprehur për të pasur më shumë minuta lojë, i pëlqen ideja e të luajturit në Premierligë. Ai e kupton se nuk do të ketë shumë mundësi në skuadrën e Zinedine Zidanit dhe për këtë arsye është i gatshëm për një aventurë të re, të paktën për sezonin e ardhshëm.

Ceballos ka luajtur në disa ndeshje, si jo i rregullt, gjatë dy sezoneve të fundit me “Los Blancos”, mirëpo ai është i vetëdijshëm se do t’i duhen më shumë minuta lojë nëse dëshiron ta arrijë potencialin e tij të plotë.

22-vjeçarit i pëlqen Arsenali si klub, ideja e të jetuarit në Londër dhe ideja e të luajturit nën urdhrat e Unai Emeryt, i cili është personi kryesor që po e shtyn idenë e transferimit të Ceballos në “Emirates”.

Si pjesë e marrëveshjes, Arsenali do ta paguante pagën e plotë të Ceballosit, që është rreth tre milionë euro në vit. Kjo nuk është një figurë e madhe dhe përshtatet me mundësitë financiare të klubit anglez, që nuk mund ta përballojë transferimin permanent të futbollistit.

Arsenali po shpreson se do ta kompletojë transferimin e spanjollit këtë javë. Bisedimet janë  në një fazë të avancuar, klubet kanë arritur marrëveshje për detajet dhe gjithçka që mungon është një “Po” përfundimtare nga Real Madridi. 

Lini Një Koment