As në këtë mandat s’ka zvogëlim të numrit të ministrive

Numri i ministrive të Qeverisë nuk do të zvogëlohet brenda këtij mandati, edhepse për një kohë të gjatë një gjë e tillë u paralajmërua nga zyrtarët qeveritarë.

Mos ndryshimi i numrit të dikastereve është konfirmuar edhe nga nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Mirëpo, për një gjë të tillë nuk kanë pranuar të flasin as përfaqësues të qeverisë së Kosovës, e as partneri i koalicionit qeverisës, LDK.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se një tërheqje e këtij qëndrimi mund të ketë ardhur me qëllimin që të trasohet rruga për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe të arrihen përfitime personale politike. Sipas tyre, një gjë e tillë mund të jetë edhe një sinjal se ky koalicion do të përfundojë së ekzistuari. Ndërsa partitë opozitare kanë vlerësuar se riformatimi i këtillë nuk do të ndodhë me qëllimin e vetëm, që, siç thonë ata, partitë në pushtet të bëjnë pazare politike. Megjithatë, sipas tyre, vendi duhet që sa më parë të shkojë në zgjedhje.