Asnjë fjalë nga Bob Dylan pas fitores së Çmimit Nobel

E martë, 18 Tetor 2016   –   Sakte.net 

Komiteti i Nobelit ka hequr dorë nga përpjekja për të kontaktuar me Bob Dylan, 5 ditë pasi ai u shpall i pari muzikant i cili shpërblehej me Çmimin Nobel për Letërsinë. Gjatë mbrëmjes kur çmimi u lajmërua, Dylan ishte në një koncert në Las Vegas, ku ai foli pak dhe nuk përmendi asgjë mbi fitoren.

Shumë muzikantë e kanë përgëzuar Dylan për fitoren e tij. Mick Jagger i The Rolling Stones u shpreh i nderuar që kishte ndarë skenën me një nobelist, pasi grupi performoi pas Dylan në Festivalin Coachella të premten. Edhe Keith Richards shtoi se nuk kishte tjetër person që e meritonte çmimin në shumë se Bob.

Megjithatë, Akademia suedeze thotë se nuk ka dëgjuar asgjë prej këngëtarit të lindur në Minnesota. Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë thotë se ata tashmë nuk po bëjnë më asgjë. Danius tha se ajo ka patur kontakte të vazhdueshme me bashkëpunuesin më të afërt të Dylan, i cili i është përgjigjur miqësisht email-eve të saj, teksa ylli i muzikës ende nuk është prononcuar publikisht.
Dylan është i njohur për marrëdhënien e tij të çrregullt me ceremoni të tilla, e cila fillon që në 1963 kur ai fitoi Çmimin Tom Paine për të drejtat civile. Megjithatë fjalimi i tij i rastit la për të dëshiruar.

Dylan tha se atij i vinte keq për vrasësin e John F. Kennedy, Lee Harvey Oswald, ndërkohë që më vonë kërkoi ndjesë për çfarë kishte thënë. Në vitin 2000, ai fitoi Çmimin Oscar për Këngën më të Mirë Origjinale me “Things Have Changed” nga filmi “Wonder Boys”. Dylan zgjodhi të mos ishte i pranishëm në ceremoni, teksa e pranoi çmimin me anë të një videoje. Në 2007, ai nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Princi i Asturias, ndërsa në 2010, ai nuk u paraqit në Shtëpinë e Bardhë për të marrë Medaljen Kombëtare të Arteve.

Presidenti Obama, një fans i madh i Dylan, me anë të Twitter-it përgëzoi kantautorin për fitoren e tij, duke e quajtur atë një nga poetët e tij të preferuar. Obama gjithashtu ka vlerësuar personalitetin moskokëçarës të Dylan, i cili sipas presidentit, është i veçantë pikërisht për faktin se është skeptik.

Sara Danius tha se ata nuk e dinë ende nëse Bob Dylan do të marrë pjesë në ceremoninë e 10 dhjetorit, ku fituesit do të marrin çmimet e tyre nga Mbreti Carl Gustaf. Megjithatë, Danius është shprehur optimiste se kantautori nobelist do të paraqitet në festën e madhe në nder të tij.