Astrit Haraqija: Isa Mustafa është jashtë gare për postin e kryetarit të LDK-së

Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Astrit Haraqija, ka treguar se kush mund të jenë pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Kujtim Shala dhe Agim Veliu janë katër kandidatët që i kanë gjasat më të mëdha për ta drejtuar LDK-në. Ai ka mohuar mundësinë që kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, t’i hyjë kësaj gare, siç ka thënë ai, që të “koritet në pleqëri”. Haraqija nuk beson se në këtë proces LDK-ja do të përçahet sikurse në vitin 2006. Gjithashtu, Haraqija ka bërë me dije se do të angazhohet në politikë, duke u bërë pjesë e procesit zgjedhor të LDK-së në Gjakovë

Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Astrit Haraqija, ka bërë me dije se në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie synon të zgjedhet kryetar i degës së kësaj partie në Gjakovë. Ai ka përmendur edhe katër pretendentët kryesorë për kryetar të LDK-së. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haraqija ka deklaruar se Lutfi Haziri, Agim Veliu, Kujtim Shala dhe Fatmir Sejdiu janë pretendentët kryesorë për të parin e LDK-së. “Secila prej kandidaturave të mundshme për kryetar të LDK-së, që janë përmendur nëpër medie, i ka vlerat e veta. Por, kandidat më serioz për kryetar të LDK-së mendoj se janë Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Kujtim Shala dhe Agim Veliu. Dike tjetër nuk e shoh tani që mund të ketë ambicie për kryetar të LDK-së. Në situatën aktuale që është brenda LDK-së, këto katër figura i shoh si pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së”, ka thënë Haraqija.

Ai ka mohuar mundësinë që kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, të kandidojë sërish për të parin e LDK-së. “Si mundësi mund të jetë, por nuk besoj se do të ndodhë kjo. Besoj se z. Mustafa është shumë i dijshëm dhe nuk hyn në këtë lojë më. Pak e njoh, veç në bazë të veprimeve të tij, nuk besoj se hyn në këtë lojë, sepse një gjë e tillë nuk do të ishte mirë edhe për moshën që ka. Pra, nuk besoj se do të koritet në pleqëri”, është shprehur ai.

Ish-zyrtari i lartë i LDK-së ka thënë se nuk do të përsëritet më në këtë subjekt politik Kuvendi i vitit 2006. Sipas tij, mund të ndodhë largimi i ndonjë individi të pakënaqur, por nuk mund të ketë përçaje. “Mund të largohet ndonjë individ i pakënaqur, por nuk do të ketë përçaje të LDK-së. Kjo parti nuk është krahinore dhe nuk i takon vetëm një grupi. Për shembull grupit të Llapit, të Gjilanit apo të Dukagjinit. LDK-ja është e gjithë Kosovës dhe besoj se ka aq njerëz të aftë që nuk do të lejojnë të përsëritet Kuvendi i vitit 2006”, është shprehur Haraqija.

“Epoka e re”: Z. Haraqija, zgjedhjet e brendshme në LDK janë shpallur. A do të jeni pjesë e këtij procesi zgjedhor?

Haraqija: Në LDK zgjedhjet edhe kanë filluar edhe nuk kanë filluar. Kjo punë është 50 me 50. Diku po thonë se kanë filluar zgjedhjet e diku tjetër ende. Nuk po dalin me deklaratë për këtë punë, por po e mbajnë si të fshehtë. Unë besoj se zgjedhjet e LDK-së do të fillojnë dhe do të përfundojnë në muajin maj. Natyrisht se do të jem pjesë e këtij procesi.

“Epoka e re”: Kush po mundohet ta mbajë të fshehtë këtë proces zgjedhor?

Haraqija: Ata që vendosin për këtë punë. Unë ende nuk e kam dëgjuar dikë publikisht që thotë se është hapur procesi. Po thuhet se një degë i ka hapur zgjedhjet, kurse një degë tjetër nuk i ka shpallur ato. Zgjedhjet duhet të shpallen me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të cilin e propozon Kryesia e LDK-së. Mirëpo, deri më sot zyrtarisht nuk e kam parë një gjë të tillë. Megjithatë, aq sa kam dëgjuar nëpër medie, zgjedhjet e brendshme kanë filluar nëpër disa degë.

“Epoka e re”: Ku do të inkuadroheni ju dhe çfarë synoni?

Haraqija: Do të filloj nga nëndega e shtatë e Degës së LDK-së në Gjakovë. Kjo është nëndega më e madhe në këtë komunë. Aty do të synoj të zgjedhem kryetar i Degës së LDK-së në Gjakovë.

“Epoka e re”: A besoni se do t’ju përkrahë elektorati i LDK-së në këtë komunë?

Haraqija: Natyrisht se po. Jam në komunikim të përditshëm me elektoratin. Unë libra nuk shkruaj, por me elektorat merrem çdo ditë. Edhe pse jam opozitë e Degës së LDK-së dhe opozitës në qendër të LDK-së, prapëseprapë me elektoratin dhe aktivistët e kësaj partie kam kontakte të rregullta.

“Epoka e re”: Siç dihet, ju nuk i keni raportet e mira me udhëheqësinë qendrore të LDK-së. Sa mund t’ju pengojë kjo në këtë proces?

Haraqija: Unë nuk i kam raportet keq me askënd. Pse ata kritikat e mia i marrin personale, atëherë është problem i tyre, jo i imi. Unë jam me frymën rugoviane për të bashkuar njerëz dhe jo për të larguar. Kur po mund të flasim me Listën Serbe dhe me të tjerët, pse nuk mund të flasim mes vete. Nuk e kam të qartë këtë.

“Epoka e re”: Si e parashihni të shkojë procesi zgjedhor në LDK?

Haraqija: Udhëheqja aktuale e kësaj partie duhet ta ketë të qartë se LDK-ja është akademi për partitë e tjera politike. Prej kësaj partie varen të gjitha zhvillimet e tjera. LDK-ja është parti institucionale dhe është parti për ta ruajtur shtetin, e jo sikur po vepron tash. Edhe me presidentin Rugova kur i kemi fituar zgjedhjet, kurrë prej parlamenti nuk kemi dalë dhe kurrë nuk e kemi sabotuar parlamentin. Pavarësisht se kush është në krye të institucioneve shtetërore ne duhet t’i ruajmë ato. Ndërsa teket individuale dhe hidhërimet brenda natës nuk më bëjnë përshtypje. Ashtu siç ka thënë presidenti Rugova: ne elektorin e kemi të mirë, po ne udhëheqja jemi të këqij.

“Epoka e re”: Tashmë, disa zyrtarë të lartë të LDK-së i kanë shpallur edhe kandidaturat për kryetar të LDK-së. Si i keni parë këto kandidatura?

Haraqija: E kam parë se dikush publikisht ka folur për pretendime për kryetar të LDK-së, por dikush po thotë se ende nuk i kanë prezantuar në kryesi të partisë zyrtarisht ato kandidatura. Çdokush ka të drejtë ta synojë këtë post, por nuk do të thotë tash të dalin 50 kandidatura, sepse nuk është logjike kjo. Besoj se do të ishte mirë edhe për demokracinë e brendshme dhe për partinë që t’i kemi tri ose katër kandidatura. Edhe në vitin 2006 kanë qenë dy kandidatë. Nuk do të duhej të ishte vetëm një kandidat për kryetar të LDK-së.

“Epoka e re”: Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar publikisht se do të kandidojë për të parin e LDK-së. Po ashtu, ish-kryetari i kësaj partie, Fatmir Sejdiu, e ka lënë të hapur këtë mundësi. Por mediet si kandidate të mundshme kanë përmendur deputeten Vjosa Osmani. Cilin prej zyrtarëve të lartë të kësaj partie e shihni favorit për kryetar?

Haraqija: Secila prej kandidaturave të mundshme për kryetar të LDK-së që janë përmendur nëpër medie i ka vlerat e veta. Por kandidatë më seriozë për kryetar të LDK-së mendojnë se janë Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Kujtim Shala dhe Agim Veliu. Dikë tjetër nuk e shoh tani që mund të ketë ambicie për kryetar të LDK-së. Në situatën aktuale që është brenda LDK-së, këto katër figura i shoh pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së.

“Epoka e re”: Cila prej këtyre katër figurave mendoni se i ka gjasat më të mëdha për ta marrë këtë post?

Haraqija: Prej 300 mijë anëtarëve të LDK-së t’i sjella katër figura. Tash mos më bëj presion me t’i përmend edhe dy figura. Punët e mëdha nuk kryhen brenda ditës.

“Epoka e re”: Asnjëherë nuk është përjashtuar mundësia që edhe Isa Mustafa të kandidojë sërish për të parin e kësaj partie?

Haraqija: Si mundësi mund të jetë, por unë nuk besoj se do të ndodhë kjo. Besoj se z. Mustafa është shumë i dijshëm dhe nuk hyn në këtë lojë më. Pak e njoh, veç në bazë të veprimeve të tij, nuk besoj se hyn në këtë lojë. Një gjë e tillë nuk do të ishte mirë edhe për moshën që ka dhe nuk besoj se do të koritet në pleqëri.

“Epoka e re”: Meqenëse postin e liderit të LDK-së po e synojnë shumë individë, pritjet e konkurrenteve politikë të kësaj partie janë që ky proces mund ta përçajë LDK-në sikurse ka ndodhur më herët. Mund të përsëritet Kuvendi i vitit 2006?

Haraqija: Nuk besoj se do të ketë asi rivaliteti që do ta çojë partinë në një përçarje të re. Vazhdimisht ka pasur largime prej LDK-së. E mbaj mend kohën kur është larguar grupi i të burgosurve politikë, Hydajet Hyseni, Edita Tahiri dhe grupe të tjera. LDK-ja është shtëpi e madhe dhe nuk besoj se mund të ndodhë përsëri ajo që ka ndodhur në Kuvendin e vitit 2006. Mund të largohet ndonjë individ i pakënaqur, por nuk do të ketë përçaje të LDK-së, sepse kjo parti nuk është krahinore dhe nuk i takon vetëm një grupi. Për shembull grupit të Llapit, të Gjilanit apo të Dukagjinit. LDK-ja është e gjithë Kosovës dhe besoj se ka aq njerëz të aftë që nuk do të lejojnë të përsëritet Kuvendi i vitit 2006.

“Epoka e re”: Për t’i ikur një përplasje të mundshme të grupeve brenda LDK-së, Lutfi Haziri ka propozuar që për kryetar të LDK-së të ketë një marrëveshje politike brenda partisë. E shihni të mundshme këtë?

Haraqija: Kjo besoj se është normale. Çdo kund në botë, edhe në CDU, ka opozitë brenda një partie. Kur një parti ulet e negocion me partitë e tjera politike, pse mos të negociojë edhe me fraksionet e mundshme brenda saj. Është e mundshme kjo. Bile do të ishte shumë mirë që të ndodhte një marrëveshje që të kuptohet se kush është i pari, kush i dyti dhe kush është i pesti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme