Audi-t e reja do të dinë kur ndizet drita e gjelbër në semafor (Video)

Kompania e mirënjohur e prodhimit të automjeteve, Audi, ka prezantuar një veçori të re për modelet e saj.

Kjo veçori së shpejti shoferëve do t’iu tregojë mbi kohëzgjatjen e dritës së kuqe në semafor.

Sistemi i quajtur TLIS (Traffic Light Information System) do të jetë në dispozicion për modelin Q7, A4 dhe A4 Allroad të gjeneratës së fundit, transmeton Koha.net. TLIS gjatë rrugës në komunikacion do ta informojë shoferin në lidhje me kohëzgjatjen e dritave të semaforit.

Për të qenë ky sistem i mundshëm, Audi do të duhej që të hyjë në sistemin e semaforëve të qyteteve në të cilat TLIS do të jetë i aktivizuar, por këtë nuk ka mundur ta arrijë pa lejen e autoriteteve lokale.

TLIS, fillimisht do të jetë në dispozicion vetëm në disa qytete të botës dhe vetëm në veturat e prodhuara pas 1 qershorit të këtij viti. Po ashtu, qytetet të cilat do ta kenë të aktivizuar TLIS-in nuk do të mbulohen tërësisht me këtë sistem sepse theksi do të jetë në kryqëzimet më të ngarkuara, prandaj qëllimi i këtij sistemi është që të zvogëlojë ngarkesën nëpër kryqëzime.

Lansimi i TLIS-it është planifikuar për këtë vjeshtë, ndërsa modelet që mund ta përdorin këtë sistem janë ato të cilat përkrahin lidhjen e internetit LTE.