Babë e birë kosovarë bëjnë për spital dy policë zviceranë

Të premten në mbrëmje, dy policë zviceranë u mobilizuan në Buchs për shkak të një mosmarrëveshje rreth një vendparkimi. Me këtë rast, dy shtetas kosovarë, babai dhe djali, sulmuan policinë.

Policët janë plagosur dhe është dashur të shtrohen në spital. Prokuroria ka filluar hetimet.

Në mbrëmjen e vonshme të së premtes, më 21 shtator 2018, rreth orës 21.15 qendra e thirrjeve emergjente kantonale në Aarau ka pranuar një alarm, sipas të cilit në rrugën “Suhrenmattëeg” në Buchs është shkaktuar një mosmarrëveshje për një veturë të parkuar gabimisht, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Një patrullë e policisë së qytetit Aarau ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas një kohe të shkurtër ka kërkuar përforcim, pasi situata në terren ishte përshkallëzuar, informon Albinfo.ch.

Menjëherë u mobilizuan edhe disa patrulla të policisë kantonale dhe një patrullë e policisë rajonale.

Sipas hetimeve të para të policisë, ka pasur një mosmarrëveshje në mes disa pjesëmarrësve për një veturë të parkuar gabimisht. Një kosovar 31-vjeçar kosovar e kishte sulmuar një person tjetër. Policët u futën në mes për të ndërmjetësuar, pas kësaj agresori ushtroi dhunë.

Më pas, në ndihmë i erdhi edhe babai i tij 66-vjeçar dhe ndërhyri në sulm. Duke përdorur gazin lotsjellës, të dy burrat u zmbrapsën dhe më pas u arrestuan nga përforcimi i marrë.

Një polic 40-vjeçar ka pësuar një lëndim në dorë dhe aktualisht nuk është në gjendje të punojë. Kolegu i tij 36-vjeçar pësoi një lëndim në sy. Të dy është dashur të shtrohen në spital, shkruan më tej Albinfo.ch.

Testi i frymëmarrjes së të pandehurit 31-vjeçar zbuloi një vlerë prej 0.4 mg/l.

Policia kantonale arrestoi përkohësisht të dy personat e akuzuar.

Prokuroria publike e Lenzburg-Aarau hapi një hetim penal për shkak të dhunës dhe kërcënimit ndaj zyrtarëve si dhe shkaktimit të lëndimit të thjeshtë trupor.

Lini Një Koment