Basha: Koha e Ramës mbaroi, në 40 muaj s’bëri asnjë 1 km rrugë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një postim në Facebook, shprehet se Edi Rama nuk kishte se çfarë të thoshte sot përpara dibraneve, sepse nuk ka bërë asnjë investim në këtë zonë. Për pasojë, sipas Bashës, kjo është hera e parë që Kryeministri mbajti fjalimin më të shkurtër të jetës së tij.

“Do të mbahet mend se në Dibër, Rama mbajti fjalimin më të shkurtër të jetës së tij. Dhe kjo për një fakt të thjeshtë, s’kishte çfarë të thoshte. S’ka mbajtur asnjë premtim dhe këtë dibranët nuk ia harrojnë. S’ka bërë asnjë investim dhe këtë dibranët e shikojnë. Jua ka bërë jetën më të vështirë e të pasigurt dhe këtë dibranët e ndjejnë në kurriz.

3 vjet e gjysmë me parë mbolli rrenën e Rilindjes në Dibër dhe sot ishte dita e të korrave: Braktisja totale. Braktisje nga dibranët, braktisje nga të majtët, braktisje edhe nga socialistët e tradhtuar dhe të shitur toptan nga ai tek bandat e krimit dhe të drogës, që ka sjellë në Dibër.

Rama nuk do të arrijë të bëjë asnjë kilometër rrugë, siç nuk ka bërë as edhe një në 40 muaj. Së pari, sepse nuk ka prioritet qytetarët, zhvillimin e vendit. Paratë për vete e për miqtë, janë e vetmja formë e qeverisjes së tij.

Së dyti, sepse koha e Ramës ka mbaruar. Ka vjedhur, poshtëruar, varfëruar, sunduar shqiptarët e dibranët që ditën e parë, e tani ka ardhur fundi.

S’ka më kohë për Edi Ramën. S’ka më kohë për trafikantët. S’ka më kohë për hajdutët. S’ka më kohë për krimin.

3 vjet e gjysmë vuajtje e skamje për një popull nuk janë lojë. Shqiptarët dhe dibranët do të dinë të rifitojnë këtë kohë të humbur. Do të kapin me ritmin e duhur rrugën e zhvillimit, të punës, të sigurisë, të dinjitetit njerëzor”, shkruan Basha në Facebook.