Basha: Pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh

Kreu i PD-së Lulzim Basha reagoi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Dritëro Agollit, duke u shprehur se kombi humbi kolosin e letrave shqipe.

“Kombi shqiptar humbi sot kolosin e letrave shqipe, poetin tonë të madh, shkrimtarin e njerëzve të vërtetë, Dritëro Agollin. Familja e tij, miqtë dhe të dashurit, lexuesit, shqiptarët kudo ku ndodhen ndajnë sot dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait, bashkëshortit, mikut dhe gjeniut të letrave shqipe”, shkruan Basha.

Basha thotë se Agolli e transformoi letërsinë shqipe duke lënë pas veprën e tij të përjetshme.

“Pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh. Ai transformoi letërsinë shqipe duke emancipuar shoqërinë shqiptare me veprën e tij për të mirën dhe të keqen, për njerëzit e thjeshtë, për dashurinë për vendlindjen dhe atdheun. Kam pasur nderin dhe privilegjin ta njoh, ta takoj dhe ta dëgjoj nga afër Dritëroin sepse dera e tij e madhe ishte gjithnjë hapur. Vepra e tij është e përjetshme. Në paqe u prehtë shpirti i tij”, shtoi tutje kreu i PD-së.