BDI – ja fillon t’i ndëshkojë ata që nuk i shërbyen “nënës parti”

Duket se Bashkimi Demokratik për Integrim ka nisur të revanshohet dhe mllefin për rezultatet në zgjedhjen e parakohshme parlamentare ta zbrazë në të punësuarit.

Dy faturistë që ishin angazhuar nga komuna e Haraçinës për pagesën e faturave të ujit thonë se janë larguar nga puna nga kryetari i komunës së Haraçinës, për qëllime politike. Ata thonë shkaku i largimit ka qenë se nuk kanë marrë pjesë në tubime partiake gjatë zgjedhjeve. Avni Iljazi, njëri prej tyre thotë se pasi përfunduan zgjedhjet, u është thënë që mos të vijnë më në punë.

“Të komunës na thanë mblidhi plaçkat edhe shko, nuk ke punë më këtu. Mua kolegu më tha që prej para zgjedhjeve kanë thënë që do të na nxjerrin prej punës, sepse nuk kemi qenë tek shtabi. Këtij kolegut i kishin thënë pse nuk po vini tek shtabi, dhe unë po mendoj që vetëm për atë na kanë nxjerr prej punës”, tha Avni Iljazi, faturist.

Edhe Adnan Ejupi thotë se ka përjetuar të njëjtin fat dhe për të njëjtat arsye është larguar nga puna që e bënte.

Drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellësit në këtë komunë,  Nexhat Aliu  theksoi se largimi i tyre nuk është për motive politike, por sepse ndërmarrja nuk ka mundësi të përballojë pagesën e rrogave të tyre.

Këto dy persona janë larguar nga puna vetëm për atë arsye se pagesa është zero e ujësjellësit dhe nuk është diçka politike por siç thashë vetëm arsye e pagesës. Që mos të jemi ende minus me rrogat e punëtoreve patjetër u desh që  të largohen prej punës”, tha Nexhat Aliu, Drejtor i Ndërmarrjes së ujësjellësit Haraçinë.

Por ai nuk përjashtoi rikthimin e tyre në punë, pasi që të rregullohet sistemi i ri i ujësjellësit. Nga komuna e Haraçinës nuk bëhet e qartë se në çfarë marrëdhënie pune kanë qenë të angazhuar këta dy punëtorë, që menjëherë pas zgjedhjeve u larguan nga puna.