BDI-së i pengon diaspora, sepse e din që do të votojë për opozitën

“BDI është e vetëdijshme se ka zhgënjyer shqiptarët e diasporës dhe se për këtë arsye ata do të votojnë për opozitën. Mendoj se prezenca masovike e mërgimtarëve në takimet me partitë opozitare në diasporë, e ka detyruar BDI-në të vendosë sa më tepër pengesa për mërgimtarët që të mos mund të votojnë”, vlerëson analisti Mehmeti. Akuza të tilla vijnë edhe nga vetë funksionarë të lartë të BDI-së, që njihen se më herët kanë kundërshtuar edhe projekte tjera të dëmshme të Ali Ahmetit, siç ishte stema me luanin e VMRO-së

Shkup, 25 korrik – BDI nuk ka plotësuar asnjë obligim të marrë ndaj diasporës, prandaj tani po tenton ta pengojë të marrë pjesë në votime. Kështu thotë për gazetën “Lajm” analisti Semi Mehmeti, duke vlerësuar pranimin e kësaj partie që 39 mijë votues të diasporës, prej të cilëve 80 për qind shqiptarë, të vendosen në “listë të zezë” me mundësi të madhe që të mos munden të realizojnë të drejtën e votës.

“BDI është e vetëdijshme se ka zhgënjyer shqiptarët e diasporës dhe se për këtë arsye ata do të votojnë për opozitën. Mendoj se prezenca masovike e mërgimtarëve në takimet me partitë opozitare në diasporë, e ka detyruar BDI-në të vendosë sa më tepër pengesa për mërgimtarët që të mos mund të votojnë”, vlerëson Mehmeti.

Sipas ndryshimeve në Kodin zgjedhor, në vend se të fshihen rreth 300 mijë votat fiktiv për të cilat ekzistojnë dyshime dekada me radhë, është vendosur që të kontestohen votuesit e diasporës. Për të realizuar të drejtën e votës, ata duhet të kalojnë disa procedura.

“Diaspora duhet të stimulohet që të paraqitet për votime dhe ka përgjegjësi historike në zgjedhjet e ardhshme të ndëshkojë partinë e cila u nguli thikë pas shpine”, thekson analisti Mehmeti, duke shprehur dyshime se në këtë mënyrë BDI dhe Ahmeti i kanë bë shërbim VMRO-DPMNE-së që të marrë Kërçovën dhe Strugën.

“Diaspora nuk guxon të lejohet kjo tradhti me përmasa historike. Ata duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në numër më të madh se në zgjedhjet e kaluara, pa marrë parasysh pengesave që po ua bëjnë VMRO-ja me partnerët e saj”, shton Mehmeti.

Mirëpo nuk janë vetëm analistët dhe kundërshtarët politikë ata që po akuzojnë BDI-në se ka tradhtuar diasporën. Akuza të tilla vijnë edhe nga vetë funksionarë të lartë të BDI-së, që njihen se më herët kanë kundërshtuar edhe projekte tjera të dëmshme të Ali Ahmetit, siç ishte stema me luanin e VMRO-së. Më i zëshëm kësaj radhe është nënkryetari i Kuvendit nga radhët e BDI-së. Rafiz Haliti. Ai ka porositur deputetët e VBDI-së se do të turpërohen për vendosjen e mërgimtarëve në këtë listë, duke hedhur poshtë edhe arsyetimet se gjoja marrëveshja ka qenë e propozuar nga BE dhe SHBA-të.

“Qëndroj pas asaj që vazhdimisht e kam përsëritur dhe e thashë në Kuvend se ata që miratuan këtë ligj, shkelin të drejtat elementare të qytetarëve dhe do të turpërohen para votuesëve dhe qytetarëve që përfaqësojnë.
Gjithë e dimë se marrëveshja është arritur mes katër partive politike dhe jo mes SHBA-s dhe BE-së dhe roli i tyre është për të ndihmuar këtë proces dhe sigurisht se pastrimin e listës zgjedhore nuk na solli as Nulland as Hajndëll por ajo ishte pjesë e marrëveshjes e arritur mes katër partite politike dhe gjithsesi faktori ndërkombëtar do ta përshëndetë.
Kjo ishte marrëveshje politike e arritur mes katër partive politike e pakushtëzuar, por vetëm e ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, dhe qëndrimi dhe vula për fshirjen e këtyre shumicë shqiptare le ta mbajnë mbi supe ato që dhanë Aminin për këtë drejtë që i garanton kushteta për çdo qytetarë të R.M-së”, ka shkruar Haliti.

Mirëpo “mllefi” i BDI-së ndaj diasporës nuk përfundon vetëm me vendosjen e tyre në “listën e zezë” të votuesve, por ka filluar si duket të manifestohet edhe në vendkalimet kufitare. Kështu të dielën policia ka penguar një aksion të rinisë së Lëvizjes Besa organizuar në venkalimin Tabanoc, për mikpritje të mërgimtarëve. Lëvizja Besa ka akuzuar se pengesat janë bë nga BDI dhe nga VMRO-ja.

Kjo sjellje e BDI-së ka mllefosur edhe vetë mërgimtarët. Një mërgimtar kumanovar i irituar nga vendimi i Parlamentit të Maqedonisë që të shlyejë mbi 39 mijë votues, prej të cilëve mbi 26 mijë theksohet se janë shqiptarë që jetojnë në diasporë, përmes facebookut i ka dërguar “selam” direct kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Votuat një ligj për të na shlyer e hequr qafe, neve që po mbajnë qindra familje e këtë shtet koti. Unë jam këtu, ju do na hiqni, por dijeni o Ali Ahmeti se nuk jam i Pustecit. Askush nuk na ka shlyer nga kjo faqe e dheut tonë dhe do të jemi këtu”, thotë mërgimtari me emrin Skënder, duke i dërguar, siç shkruan “selam” edhe aparatçikëve shqiptarë të BDI se do ti dënojë shqiptaria e historia. (r.m.)/Lajmpress

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë