BE kërkon nga Kosova ta heq reciprocitetin: Në dialog, palët janë të barabarta

Bashkimi Evropian iu ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që ta rishqyrtojnë vendimin për masën e reciprocitetit dhe t’i rikthehen dialogut.

Qeveria Kurti të shtunën e kaluar mori vendim të ri në lidhje me masat e reciprocitetit, ku në të njëjtin është thënë se mallrat që nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë.

Një vendim të tillë të qeverisë në detyrë Bashkimi Evropian po kërkon që të rishqyrtohet.

Peter Stano, zëdhënës i shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për lajmi.net ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen marrëveshjeve që janë arritur dhe ka kërkuar nga autoritetet kosovare që ta rishqyrtojë vendimin për masat e reciprocitetit, pasi që sipas tij, Kosova dhe Serbia në dialog trajtohen njësoj.

“Ne presim nga Serbia dhe Kosova t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura në dialog në të kaluarën. Është parim themelor në bazë të çfarëdo marrëveshje në marrëdhëniet ndërkombëtare; është një parim i nxjerrë nga fakti se Beogradi dhe Prishtina janë të barabarta në tavolinën e bisedimeve. Prandaj, nuk ka asgjë të bëjë me reciprocitetin, është thjesht respekt për marrëveshjet e mëparshme të arritura nga qeveria e Kosovës. Pra, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës ta rishqyrtojnë vendimin e marrë të shtunën e kaluar”, ka deklaruar Stano për lajmi.net.

Sa i përket çështjes së dialogut, Peter Stano, ka thënë se ky proces do të rifillojë menjëherë sapo të krijohen kushtet për shkak të pandemisë që janë krijuar. Por ai ka bërë të ditur se BE-ja ka kohë që bën thirrje për rifillim të dialogut.

“Partnerët tanë e dinë shumë mirë dhe ne ua përsërisim atyre se status kuoja aktuale në dialog nuk është e qëndrueshme dhe se dialogu duhet të rifillojë sa më shpejt, sapo gjendja e shkaktuar nga pandemia koronavirus ta lejojë.  Ka kohë që ne bëjmë trysni se është jetike të rifillohet dialogu për t’ia dhënë rajonit një perspektivë të qartë. BE-ja mbetet e përkushtuar për të punuar së bashku me të dy palët për rifillimin e shpejtë të bisedimeve. Përgjegjësia, megjithatë, i takon Beogradit dhe Prishtinës për të krijuar kushte të duhura për rifillimin e dialogut”, deklaroi Stano për lajmi.net.

Pavarësisht se emërimi i sllovakut Miroslav Lajçak, ka sjell pakënaqësi në Kosovë për shkak se Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Stano  ka thënë se emërimi i Lajçakut është edhe dëshmi e besimit që shtetet anëtare i kanë dhënë dialogut Kosovë-Serbi dhe vetë Lajçakut.

Ai thotë se qysh nga viti 2011 Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

“BE-ja e ka lehtësuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që prej se ai filloi më 2011 dhe vazhdon të punojë rreth tij përmes Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, që tani mbështetet nga i Dërguari Special i BE-së, Miroslav Lajçak. Emërimi i të Dërguarit Special të BE-së së fundmi pasqyron rëndësinë që shtetet anëtare të BE-së i japim dialogut dhe po ashtu e pasqyron besimin dhe përkrahjen për Miroslav Lajçak si person i duhur për këtë punë më emër të BE-së. Nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, është evropiane. Por për ta bërë të arritshme të ardhmen evropiane për popullin e vet, mënyra e vetme është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Dhe ky lehtësim bëhet përmes Josep Borell dhe Miroslav Lajçak”, deklaroi Stano për lajmi.net.

Theksojmë se, vendimi i qeverisë në detyrë të Kosovës për reciprocitet është marrë më 1 prill të këtij viti, duke e zëvendësuar këtë masë me taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, që pati vënë qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Që nga nëntori i vitit 2018 dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është pezulluar për shkak të masave që kanë marrë autoritetet kosovare ndaj shtetit serb.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës si taksën ashtu edhe reciprocitetin nuk e kanë përkrahur,  dhe ia kanë bërë të qartë autoriteteve kosovare se nuk mbështesin veprime që krijojnë barriera dhe ngufatin ekonominë e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme