Ndonëse për tre muajt e parë të vitit 2018 Komuna e Skenderajt ka shpenzuar vetëm 350 euro për dreka zyrtare, për tre muajt në vijim prill-maj-qershor ajo shpenzoi për dreka zyrtare hiç më pak se 10 mijë euro. Për gjashtë muaj gjithsej për dreka zyrtare janë shpenzuar 14.442.25 euro, por 4.280 euro i janë atribuuar Sami Lushtakut si borxh i vitit 2017. Të hyrat vetjake janë 55,7 për qind më të vogla se në vitin 2017.
Vetëm për tre muajt prill-maj-qershor Komuna e Skenderajt ka harxhuar hiç më pak se 10 mijë euro për dreka zyrtare.
Ndonëse Mehmet Berisha, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Skenderajt, është përpjekur t’i arsyetojë shpenzimet me harxhimet kinse të shkollave që kanë shënuar përvjetorët, opozita në Skenderaj ka vlerësuar se kjo shumë e mjeteve prej 10.164 eurosh për dreka zyrtare për vetëm 3 muaj kalon dyfishin e shpenzimeve të të njëjtës kategori për 6 muaj të qeverisjes së Sami Lushtakut me komunën e Skenderajt në vitin 2017, kur për dreka zyrtare në periudhën janar – qershor 2017 ishin shpenzuar 5.435 euro.
Edhe tani në raportin për shpenzimin e buxhetit për 6 muaj të vitit 2018 janë evidencuar saktësisht 14.442.25 euro për dreka zyrtare, por meqë 4.280 “i janë faturuar” Sami Lushtakut, atëherë, siç është precizuar edhe në raport, për 6 muajt e këtij viti për dreka zyrtare janë shpenzuar 10.164 euro, 350 euro për periudhën janar-mars dhe 9.814 euro për periudhën janar-qershor 2018.