BESA kërkon lista të hapura me një njësi zgjedhore

Çështja e rregullimit të njësive zgjedhore të hënën do të jetë në tryezën e grupeve parlamentare në Kuvend, pasi që njësia e 6 zgjedhore ka numër të tepërt të votuesve. Kjo u paralajmëruar nga koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, i cili ka dorëzuar draftin për balancimin e njësive zgjedhore. Ai deklaroi për TV21 se të hënën pret sinjalet e para rreth propozimit të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska theksoi se e gjithë kjo tollovi rreth njësisë së 6 zgjedhore po bëhet në koordinim të partnerëve të koalicionit.

“E gjithë kjo rrëmujë e cila është e bërë në kuzhinat e OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së, është plotësisht e koordinuar që të bëj pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve dhe që të hap mundësi për ikjen e tyre nga zgjedhjet. Kjo tregon se sa gabim kanë bërë tre partitë e tjera politike, kur nuk e mbështetën propozimin që Maqedonia të jetë 1 njësi zgjedhore’’, u shpreh Radmilla Sheqerinska, Nënkryetare e LSDM-së.

Nga OBRM-PDUKM theksuan se për këtë çështje i kanë dhënë përparësi tre partive të tjera nënshkruese të Përzhinës dhe se janë të gatshëm që bashkërisht të ndërmarrin hapa për rregullimin e kësaj çështje.

Ndërsa, koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu ka theksuar se OBRM-PDUKM dhe BDI në Kuvend me votat e tyre si gjithmonë do të vendosin dhe taktizojnë me ripërcaktimin e njësisë së 6 zgjedhore.

Nga partitë jashtëparlamentare, Lëvizja BESA thekson se do të dal me propozim konkret për këtë çështje.

“Natyrisht Lëvizja Besa qëndron në atë se Maqedonia duhet të jetë 1 njësi zgjedhore dhe të votohet me lista të hapura, por për të gjithë këtë do të veprojmë pasi që ta fitojmë mandatin’’, theksoi Faton Fazliu, Zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Lëvizja për Reforma-PDSH vlerëson se partitë parlamentare duhet të jenë të përgjegjshme gjatë vendosjes për këtë çështje. Sipas kësaj partie, ndarja aktuale nuk paraqet realitetin e përfaqësimit real politik dhe etnik të vendit, andaj kërkohet zgjidhje më e pranueshme dhe jodiskriminuese.

Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov vlerëson se për këtë çështje nuk duhet iniciativë nga deputetët, por nga institucionet, pasi që siç thuhet në këtë mënyrë minohet procesi zgjedhor, duke marrë parasysh që partitë kanë propozime të ndryshme. Nga kjo parti theksojnë se korrigjimi i njësive zgjedhore duhet të iniciohet dhe propozohet nga ministria e drejtësisë.

Lidhur me ripërcaktimin e njësive zgjedhore, pritej të vendoste Ministria e Drejtësisë, pasi që KSHZ kishte bërë kërkesën në adresë të saj, por ministri i këtij dikasteri përgjegjësinë ia hodhi katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.

Sipas të dhënave të fundit të KSHZ, në Njësinë e 6 zgjedhore janë të regjistruar mbi 310 mijë votues dhe se ka më shumë se 5 për qind nga kufiri i përcaktuar. Se a do të dakordohen të gjitha partitë apo jo për rregullimin e kësaj njësie pritet të shihet javën që vjen.