BESA nuk i beson iniciativës së Ahmetit, partitë e vogla e mbështesin

Nga Lëvizja BESA kanë thënë se nuk besojnë në iniciativën që e ka paralajmëruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ahmeti nuk ka kredibilitet për diçka të tillë. Lëvizja BESA nuk bëhet pjesë e qeverisë pa pranimin e Ridefinimit. Qeveria, kushdo që ta bëjë, do të ketë përkrahjen tonë për çështjet strategjike të shtetit”, kanë thënë nga Lëvizja BESA, duke përsëritur se nuk do të jenë pjesë e një qeverie ku do të përfshiheshin të dyshuar nga PSP.

“Këto qëndrime ia kemi transmetuar edhe ambasadorit amerikan në Shkup, Xhes Bejli”, kanë theksuar nga Lëvizja BESA.

Për dallim prej kësaj lëvizje, partitë më të vogla që përbëjnë koalicionin Aleanca për Shqiptarët janë të gatshëm të pranojnë Ahmetin si “padron” të një dialogu mes partive shqiptare edhe pse BDI nën udhëheqjen e Ahmetit në këto zgjedhje ka shënuar rënie prej gati 70 mijë votave.

“Mandatimet janë bërë në mënyrë të pakontestueshme që imponojnë bashkëpunim. Nëse z. Ahmeti kërkon të ulet në tavolinë për bisedime, sepse partia e tij kërkon të jetë pjesë integrale e frontit shqiptar, pa dyshim që ne do të jemi aty. BDI-ja është partia fituese e elektoratit shqiptar dhe ky është vullneti i shumicës. Për më tepër, që tashmë ka ardhur koha e artë për t’u vendosur të gjithë në një tryezë dhe të kemi ato benefite që nuk i kemi pasur kurrë. Është koha të shohim ndryshe. Është koha të kuptojmë që jmi një, jemi të gjithë shqiptarë”, ka thënë për “Zhurnal” sekretari i LR-PDSH-së, Arben Taravari.

Përkrahje ka paralajmëruar edhe Zulfi Adili nga UNITETI.

“Idea për platformë të përbashkët të shqiptarëve është e jona, ne kemi thënë se do ta bëjmë një gjë të tillë nëse fitojmë shumicën e mandateve. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni janë të njohura dhe të përbashkëta për të gjitha partitë, do të ishte mirë për shqiptarët nëse partitë bashkohen”, ka thënë për “24 Vesti”, Zulfi Adili.