BIK-u e dërgon për mjekim jashtë vendit 22 vjeçaren që humbi foshnjën në aksident

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se të martën e ka dërguar për trajtim mjekësor jashtë vendit, 22 vjeçaren shtatzënë e cila u godit nga një makinë në fundjavë, me ç’rast ajo humbi foshnjën. Rasti kishte ndodhur në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë
Përderisa ajo po trajtohej në QKUK, Bashkësia Islame njofton se e ka marrë përsipër trajtimin mjekësor të saj.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se dje ka dërguar për mjekim e trajtim adekuat mjekësor znj.Taunita Hoxha, e aksidentuar ditë më parë në Prishtinë”, shkruan në njoftimin e BIK-ut.

Në faqen e BIK-ut në Facebook sqarohet se ata kanë marrë vesh se subjekte e individë të ndryshëm kanë mbledhur dhe po vazhdojnë të mbledhin para për shërimin e 22 vjeçares, duke thënë se BIK-u nuk ka kërkuar mjete financiare për mjekimin e saj.

“Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme Kryesia e Bashkësisë Islame ka marrë vesh që subjekte e individë të ndryshëm kanë grumbulluar mjete financiare për mjekimin e zonjës në fjalë, madje sipas disa dëshmive të marra nga terreni individë të ndryshëm po vazhdojnë ende me grumbullimin e mjeteve.
Me këtë rast, për hir të së vërtetës, njoftojmë opinion e gjerë se Kryesia e BIK-ut në asnjë rast e asnjë rrethanë nuk ka kërkuar mjete financiare për mjekimin e saj, si dhe nuk ka asnjë lidhje me aksionet që janë organizuar e vazhdojnë ende të mbledhin mjete financiare”, shkruan BIK.

Në fund, ata sqarojnë se si është bërë i mundur trajtimi jashtë vendit i prishtinases.

“E ritheksojmë se trajtimin mjekësor për zonjën Taunita Hoxha, siç e kemi thënë edhe dje në njoftimin tonë, e kemi realizuar në bazë të memorandumit që ka Kryesia e BIK-ut me Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë për trajtimin e pacientëve kosovarë, për të cilët nuk ka mundësi trajtimi e mjekimi në klinikat tona”, shkruan në fund Bashkësia Islame e Kosovës.

Kujtojmë se dy ditë më parë Gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit i cili ka shkaktuar aksidentin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme