Bota po armatoset, raporti: Po lulëzon tregtia e armëve

Me konfliktet e vazhdueshmë në Lindjen e Mesme, tensionet në Gjirin Persik, trazirat në Afganistan dhe “ngriva-shkrivan” me Korenë e Veriut, bota dëshmoi në 5 vitet e fundit një rritje të pashembullt të tregtisë së armëve.

Instituti i Kërkimor i Paqes në Stokholm publikoi një raport ku vëren se nga viti 2013 deri në vitin 2017, volumi i import-eksportit të armëve u rrit me 10 për qind në krahasim me periudhën nga 2008 deri në 2013.

Instituti identifikon 67 vende si eksportuese, por pjesa e luanit ndahet nga pesë prej tyre. Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Gjermania dhe Kina eksportuan 74 për qind të totalit të armëve të eksportuara në këtë periudhë 4-vjeçare.

Sipas raportit, armët vërshuan kryesisht në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe në Azinë e Largët, ndërsa për herë të parë pati rënie të shitjeve të armëve në Afrikë, Europë dhe në të dyja amerikat.

Shtetet e Bashkuara të vetme kanë eksportuar 34 për qind të totalit të armëve, ku blerësit kryesorë kanë qenë vendet arabe. Pikërisht Arabia Saudite është blerësi më i madh duke blerë 18 për qind të totalit të armëve të shitura në këtë 5-vjeçar.

Eksportet amerikane të armëve, vëren raporti, u rritën me 25 për qind, por rritjen më të madhe e ka patur Franca me 27 për qind. Eksportet ruse dhe gjermane nga ana tjetër pësuan rënie, përkatësisht me 7.1 për qind dhe 14 për qind.

Ajo që është më trishtuese është fakti se raporti nuk sheh ndonjë tkurrje të kësaj tregtie, të paktën në vitet në vazhdim. Sipas Institutit, klima aktuale globale dhe tensionet në kulm mes Perëndimit dhe Rusisë kanë krijuar habitatin ideal për lulëzimin edhe më tej të tregtisë së armëve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme