Bushati: Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut

Sakte.net / e Enjte 22 Shtator 2016 / 16:19

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati kërkoi antarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, duke e cilësuar si domosdoshmëri për paqen e sigurinë në rajonin e Ballkanit.

Kërkesa u bë gjatë një takimi në Nju Jork mes Ministrave të Jashtëm të të vendeve të Kartës SHBA-Adriatike.

Situata politike dhe ajo e sigurisë në Ballkan janë diskutuar në Nju Jork në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Kartës SHBA-Adriatike.

Në takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Kartës SHBA-Adriatike, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe të dy vendeve vëzhguese të saj, Kosovës e Serbisë.

Ministri Bushati vlerësoi punën e kryesisë kroate të Kartës së Adriatikut, duke iu referuar sfidave aktuale për sigurinë evropiane dhe rajonale. Ai gjithashtu u ndal tek kontributi i Shqipërisë në përballimin e tyre.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm shqiptar kërkoi antarësimin e Kosovës në këtë Kartë, duke e cilësuar si hap të nevojshëm në funksion të integrimit të plotë euro-atlantik të rajonit tonë, konsolidimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, raportojnë mediat në Shqipëri, përcjellë Klan Kosova.