Buxheti përcakton nivelin e pagave dhe numrin e punëtorëve

22 Gusht 2016 – 16:40      Sakte.net

Ministria e Financave në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka mbajtur sot Forumin me autoritetet komunale të regjionit të Prishtinës dhe Mitrovicës mbi zhvillimin e procesit buxhetor komunal 2017-2019. Fokus kryesor i këtij forumi, si edhe forumeve të tjera, është zhvillimi i procesit buxhetor komunal. Reformat mbi buxhetimin programor, avancimin e konceptit të planifikimit të projekteve shumëvjeçare, si dhe ngritja e kapaciteteve për menaxhimin efikas financiar në nivel lokal.

Në hapje të këtij forumi Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se Ministria e Financave dëshiron një komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me komunat, andaj pjesë e këtij komunikimi të rregullt është edhe ky forum.

Ai bëri të ditur se “Me qëllim të ofrimit të shërbimeve minimale për qytetarët është bërë amendamentimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal për korrektimin e formulës së grantit të përgjithshëm, dhe është bërë shpërndarja e kontigjencës në shumën prej 4 milionë euro për 14 komunat me numër të popullsisë nën 22, 000 banorë për vitin 2017”.

“Në pajtim me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2017 – 2019 dhe në dakordim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) janë përcaktuar niveli dhe struktura e të hyrave dhe shpenzimeve përkatëse në kuadër të buxhetit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ruaj stabilitetin makrofiskal dhe të realizojë prioritetet strategjike. Bazuar në prioritetet e Qeverisë, në strukturën e shpenzimeve është ruajtur raporti në mes shpenzimeve operative dhe shpenzimeve kapitale. Megjithatë, shpenzimet rrjedhëse në nivel komunal, krahasuar me vitin paraprak, kanë rezultuar me një rritje prej 2.1 milionë euro tek kategoria mallra dhe shërbime në sektorin e arsimit parauniversitar, që nënkupton një rritje përkatëse e grantit të arsimit për vitin 2017 krahasuar me vitin 2016. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve kapitale kemi një rritje më të theksuar, krahasuar me vitin paraprak, në shumën prej 15.8 milionë euro” shtoi Ministri Hoti.

Ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se “Nisur nga prizmi i ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe menaxhimit më efikas, efeçient e transparent të financave publike, qëndrimi ynë është një qëndrim shumë strikt sa i përket pagave si dhe mosarritjes së numrit të punëtorëve përtej kufizimeve buxhetore. Qëndrimi ynë sa i përket investimeve kapitale është që gjatë procesit të planifikimit të investimeve kapitale të financohen me prioritet projektet në vazhdimësi, dhe më pas projektet e linjës apo me donatorët potencialë.

Ndërsa, Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit për demokratizim – Misioni i OSBE-së në Kosovë, theksoi se autoritetet qendrore si dhe komunale mbajnë përgjegjësi të ndryshme për të siguruar menaxhim lokal të shëndoshë financiar, kështu që, komunikimi dhe bashkëpunimi janë faktor kyç të suksesit.

“Le të rikujtojmë se buxheti komunal është ndoshta produkti më i rëndësishëm i punës së një komune dhe po ashtu është një mjet shumë i dobishëm. Buxheti i shërben një numër të funksioneve. Në nivelin më themelor është një dokument ligjor që i jep zyrtarëve të qeverisë lokale autoritetin për të marrë detyrime, paguajnë shpenzime, për të kontrolluar shpenzimet dhe vlerësuar performancën. Por një buxhet komunal mund dhe duhet të jetë më shumë se një dokument me të dhëna financiare. Buxheti mund të konsiderohet si një pasqyrë sa i përket vizionit të asaj komune, qëllimeve strategjike dhe prioriteteve, si dhe përpjekjeve të saja gjithëpërfshirëse, d.m.th. përfshirjen e nevojave dhe adresimin e tyre nga banorët e saj. Përfundimisht, ky është një dokument që tregon se si një komunë është duke i shërbyer interesave të publikut në mënyrë përgjegjëse dhe të përgjegjshme”, shtoi z. Christopher Tuetsch.

Ai më tej shtoi se “për shumë vite, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ofruar përkrahje për të përmirësuar dhe për të forcuar cilësinë e procesit të zhvillimit të buxhetit komunal. Edhe këtë vit, Misioni lehtëson punëtoritë dhe aktivitetet promovuese për të përmirësuar më tej nivelin e transparencës dhe pjesëmarrjen e publikut gjatë procesit të buxhetit.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, përgëzoi ministrin Avdullah Hoti për punën në vazhdimësi për menaxhimin e financave publike, e sidomos në punën që po bënë për mbështetjen e Komunave në realizimin e prioriteteve të tyre.
“Është më së e rëndësishme të theksohet se përkundër angazhimeve të mëdha nga niveli lokal, përsëri buxheti prej nivelit qendror në nivelin lokal në shpërndarje është rreth 24.7 %. Pra, duke u munduar që edhe komunat t’i rrisin të hyrat vetjake të përcaktuara me korniza afatmesme buxhetore, gjithashtu edhe me qarkore që vijnë nga niveli qendror. Përkundër angazhimeve dhe aktiviteteve ende niveli lokal është duke çaluar në atë kuptimin që të inkasohet në atë kuptimin qind për qind të obligimeve të cilat burojnë nga nivelet qarkore buxhetore. Mirëpo, arsyet ekzistojnë, nganjëherë edhe nuk qëndrojnë sepse niveli qendror po e ka më të lehtë që të kritikojnë nivelin lokal sa i përket të hyrave vetjake por duhet të theksohet se përkundër angazhimit të komunave nuk po mund të arrihet qindpërqindshi i të hyrave vetjake”, shtoi z. Ibrahimi.

Ndërsa, Drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Financave Salvador Elmazi, bëri të ditur se “Sa i përket të hyrave vetjake komunale para disa muajsh është nënshkruar një vendim, ku është formuar një grup punues për hartimin e kritereve për projeksionin e të hyrave vetjake komunale, ne kemi pasur aty përfaqësues të disa institucioneve dhe jemi munduar që të përcaktojmë disa kritere. Gjithashtu, e kemi diskutuar edhe me Kolegjiumin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, kolegjiumin për çështje të financave të pushtetit lokal”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme